“Marrëveshja që do të firmosim në javët e ardhshme mes Shqipërisë dhe Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjellta për procedurat doganore dhe kontrolli i hyrje daljes së mallrave, faktikisht na çon në një destinacion deri para disa vitesh të paimagjinueshëm, shndërrimin e portit të Durrësit në një port de facto të Kosovës”.
Kështu theksoi sot Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që po zhvillohet në Tiranë.
“Porti i Durrësit do të jetë stacioni i vetëm ku hyrja e të gjitha mallrave për në Kosovë nga pikëpamja legjislative dhe juridike do të trajtohet si një hyrje në Kosovë në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës”, – tha Rama.
Kryeministri Rama vlerësoi angazhimin e dy qeverive për funksionimin e zyrës operative të Kosovës në doganën e portit të Durrësit ku ka filluar aplikimi i funksionimit të një sistemi të ri të përbashkët.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivit që porti i Durrësit të kthehet në një port strategjik jo vetëm për gjithë hapësirën mbarë shqiptare, por edhe atë rajonale. Gjë që e kam konstatuar me shumë kënaqësi si fakt edhe në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington pak javë më parë”, – nënvizoi Rama.
Por, vijoi Rama, ambicia jonë nuk duhet të ndalet vetëm në një stacion apo pikë kalimi doganor sado e rëndësishme të jetë ajo.
“Faktikisht me këtë marrëveshje do të mundësojmë ligjërisht edhe nga ana proceduriale kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, njohjen automatike të agjentëve doganorë të të dy vendeve , njohjen e garancive në të gjitha pikat doganore dhe më tej”, – theksoi Rama duke shtuar se janë lehtësi që shënojnë hapjen e një kapitulli të ri drejt realizimit të objektivave një bashkimi të mirëfilltë doganor në vitet që vijnë”.