Tani që na duhet të mbajmë distancën, rëndësia e kontaktit fizik po bëhet më e madhe.
Shumë nga ne kemi më shumë se gjashtë muaj pa shtrënguar duart e lëre më të kemi përqafuar një mik dhe vetëm tani kemi arritur të kuptojmë sa i rëndësishëm është kontakti fizik. Pra, a mund të themi se përveç se në një krizë shëndetësore, të jemi dhe në një krizë përqafimesh?
Një ekip psikologësh i udhëhequr nga Michael Banissy në Universitetin Goldsmiths të Londrës ndërmori një studim në internet që e quajti “Touch Test” i cili filloi në fund të janarit 2020. Studimi përfshiu pyetje se a merrni “dozën” e duhur të përqafimeve dhe a do të doni të dilte një pajisje që iu lejon të shtrëngoni duart nga distanca? Dy muaj më vonë, pothuajse 40,000 njerëz nga 112 vende të ndryshme kanë marrë pjesë në studim.
Rezultatet treguan se njerëzit janë të ndarë nëse ata personalisht marrin përqafime të mjaftueshme në jetën e tyre, si dhe nëse shoqëria e sotme na jep mundësi të mjaftueshme për të përqafuar njëri-tjetrin. Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në këtë studim plotësuan pyetësorin në fillim të vitit 2020 përpara se të përhapej distancimi dhe izolimi. Pak më shumë se gjysma e njerëzve thanë se përqafoheshin shumë pak pasi nuk donin dhe 42% thanë se përqafoheshin aq sa donin me të dashurit e tyre. Ekipi vështroi moshën dhe gjininë së bashku me një mori faktorësh të tjerë për të provuar se çfarë i ndan ata që pëlqejnë përqafimet nga ata që nuk i duan dhe u shfaqen dy faktorë kryesorë.
I pari është personaliteti. Ekstrovertët ndihen më pozitivë në lidhje me prekjen ndërpersonale sesa introvertët. Faktori i dytë është se sa të lehtë e shohin njerëzit një marrëdhënie me dikë tjetër. Njerëzit të cilët dëshirojnë të ndihen shumë të pavarur në marrëdhëniet e tyre ose që e kanë të vështirë të afrohen emocionalisht me të tjerët kanë tendencë që të mos u pëlqejnë kontaktet fizike aq shumë sa ata që e kanë më të lehtë. Studimi tregoi gjithashtu se njerëzit që pëlqenin përqafimet kishin nivele më të larta të mirëqenies dhe thanë se ndiheshin më pak të vetmuar sesa ata që nuk i pëlqejnë përqafimet. Këto rezultate u morën përpara se izolimi të fillonte në pjesën më të madhe të botës. Java e fundit e studimit, sidoqoftë, përkoi me fillimin e izolimit në disa vende dhe u vërejt një trend që tregonte se shumë njerëz nuk përqafonin aq sa duhej kohët e fundit.
Për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me njerëzit më tej në izolim, janë dy studime të tjera që e tregojnë. Në Amerikë, Tiffany Field, psikologe në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Miamit, kreu një studim online në Prill, ku zbuloi se deri në fund të muajit 68% e njerëzve thanë se nuk kishin përqafuar njeri. Një studim tjetër ndërkombëtar i kryer në pesë shtetë nga Merle Fairhurst, profesor i psikologjisë në Universitetin “Bundeswehr” të Mynihut, Gjermani, tregoi se në Prill, 61% e njerëzve nuk kishin pasur asnjë kontakt fizik me një të huaj dhe 35% nuk kishin përqafuar e as nuk ishin afruar me asnjë pjesëtar të familjes.
Edhe pse të gjithë mund të mendojmë se gjatë izolimit njerëzit kishin mundësi për të kaluar më shumë kohë së bashku dhe për të ngushëlluar veten fizikisht, Field zbuloi dhe vetëm një e pesta e prindërve thanë se ishin përqafuar apo kishin puthur fëmijët e tyre. Ndonjëherë ndodh që në momentin që ne na privohet të kemi kontakt fizik me njerëzit ne humbasim ndjesinë që ai kontakt të jep. Një përqafim është i rëndësishëm pasi, siç thotë Field, në momentin që ne përqafojmë dikë, hormoni i stresit kortizoli zvogëlohet dhe rritet oksitocina.
Pra, çfarë mund të bëjmë kur kemi nevojë për përqafime por nuk mundemi për shkak të pandemisë?
Field zbuloi se stërvitja në natyrë fare mirë mund të zëvendësojë mungesën e përqafimeve dhe kontaktit fizik. “Gjithashtu mund të hash diçka që të pëlqen pasi dhe në këtë mënyrë mund të rrisësh hormonin e lumturisë.” tha ajo. Por ajo paralajmëron se ngrënia është më pak e rekomandueshme sesa ushtrimet në planin afatgjatë.
“Është gjithashtu e rëndësishme të mbani mend se përqafimet dhe kontakti fizik janë të rëndësishme prandaj mund të përpiqeni të keni kontakte fizike me njerëzit në mënyrë të kujdesshme dhe nëse kjo nuk funksionon, si thoni për një përqafim të vetes?” pyet Field. Ajo që duhet të bëni është të mendoni për një përqafim që ju mungon dhe të mbështjellësh krahët rreth vetes. Nuk është aq e mirë sa një përqafim real por nuk është as keq kur nuk ke mundësi të tjera.