Nga Adriatik Doci/
Emrat paraprakë të konfirmuar deri më sot si kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike rrëzojnë premtimin e bujshëm të Lulzim Bashës se kandidatët e partisë kryesore në opozitë ‘do të jenë të pastër si kristali’, bashkë me komisionin ‘Nishani’ të verifikimit. Ish-drejtorë të shpallur në kërkim, ish-zyrtarë që i kanë shpëtuar drejtësisë me procedurë për historitë më të mëdha të korrupsionit të pluralizmit, pinjollë të familjeve të korrupsionit, protagonistë të skandaleve zgjedhore, të akuzuar si spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit etj., po piketohen dhe përgatiten nga Lulzim Basha dhe rrethi i tij, për t’u bërë pjesë e parlamentit të ardhshëm.
Kreshnik Bozho është konfirmuar pjesë e listës paraprake të kandidatëve të PD në Sarandë. Bozho ka qenë drejtor i ALUZNI-t dega Tiranë, gjatë kohës së qeverisjes së PD. Prokuroria kërkoi në vitin 2015 që ta arrestonte dhe e shpalli në kërkim për shpërdorim detyre në procesin e dhënies së lejeve të legalizimit në Tiranë. Shkeljet penale janë konstatuar fillimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka depozitar një dosje në Prokurori për Bozhon dhe më pas ka pasur edhe një kallëzim nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në zgjedhjet e vitit 2015, Bozho u bë objekt diskutimesh për fotografimin dhe publikimin e fletës së votimit, duke votuar veten e tij si kandidat i PD për Bashkinë Sarandë.
Në Vlorë mes kandidatëve rezulton edhe këshilltari ushtarak i Presidentit Ilir Meta, Piro Ahmetaj. Më parë Ahmetaj ishte këshilltar i ish-presidentit Nishani, ku u përfshi në një betejë të gjatë dhe të ashpër akuzash me deputetë të Kuvendit. Për rrjedhojë, Ahmetaj dha dorëheqjen në vitin 2015. Deputeti Spartak Braho e ka akuzuar publikisht Piro Ahmetajn se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit me pseudonimin ‘Shkodrani’. “Për lidhjet me Sigurimin e Shtetit të z. Pirro, i ka ditur mirë Safet Zhulali, i cili ka pasur rastin të trajtojë “Shkodranin” kur ishte ministër i Mbrojtjes”, ka deklaruar Braho.
Në Durrës mes kandidatëve është konfirmuar edhe Armand Teliti, ish-zëvendës i Lulzim Bashës në Ministrinë e Transporteve, i cili bashkë me Bashën dhe Andi Tomën, i shpëtoi me procedurë gjykimit në vitin 2009 për skandalin me Rrugën Durrës-Kukës. Në Durrës është përfshirë në listë në mënyrë manipulative dhe pas votimit si kandidat i mundshëm, Enri Çeno, djali i ish-gjyqtarit të Apelit Durrës, Petrit Çeno, i dënuar për korrupsion si dhe para se të dënohej, i shkarkuar nga Vetingu për fshehje pasurie.
Në Elbasan, pjesë e listës paraprake është Aurel Bylykbashi, i proceduar nga thirrje për dhunë, bllokim të procesit të votimit dhe vëllavrasje. Vëllai i tij, Arjan Bylykbashi, në vitin 2004, kur ai mbante detyrën e drejtorit juridik në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, u arratis nga Shqipëria pasi u shpall në kërkim nga Prokuroria për shkak të akuzës se kishte marrë ryshfet për të liruar 30 të burgosur.
Në Elbasan është konfirmuar edhe Endri Hasa, ish-deputet i PD, më parë teknik i IT në ministrinë e Lulzim Bashës, ku më pas bëri letrat sikur vinte nga diaspora, duke u katapultuar në AKSHI, fillimisht si specialist dhe më vonë si drejtor. Në postin e drejtorit mbahet mend për dhënien e 17 tenderave nga 23 në total kompanisë së një shoku të tij. Fituesi i privilegjuar i tenderave nga Hasa, ia ka shpërblyer Hasës në vitet në vazhdim duke detdhur miliona lekë në kompanitë e tij private, siç do faktohet në vazhdim nga një investigim i Shqiptarja.com. Endri Hasa ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe një kredi si i pastrehë, duke qenë pronar i dy shtëpive, ndërsa ka fshehur edhe një vilë, dosje e cila ende nuk është trajtuar nga drejtësia shqiptare.
Në Përrenjas, pjesë e listës është Ardjan Zeneli, ish-kryetar Komune, i arrestuar më parë për afera me tenderat. Në Dibër pjesë e listës së kandidatëve të PD-së është ish-gjenerali i Xhemal Gjunkshi i akuzuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë si i përfshirë në një skemë korrupsioni, duke u marrë ryshfet për të emëruar ushtarakët në misionet paqeruajtëse jashtë shtetit, kryesisht Irak.
Në Shkodër pjesë e listës paraprake të PD rezulton edhe Blendi Gjylbegaj, drejtor i Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, i proceduar në vitin 2019, në kuadër të arrestimit të disa tatimorëve të bashkisë, të cilët u merrnin ryshfet hoteleve. Pjesë e listës në Shkodër është edhe Zef Hila, i shkarkuar nga kryeministri Rama në vitin 2019 si kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës, si i implikuar në djegien e një shkolle dhe materialeve zgjedhore.