Nga Alfred Peza

Kjo javë shënon startin e maratonës së gjatë elektorale, nga të gjitha palët politike, drejt zgjedhjeve të pranverës së ardhshme. Pas miratimit në Parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me pragun elektoral, listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore, nuk ka më enigma për rregullat e lojës së 25 prillit. Zgjedhja edhe e trupës së re që do meret me administrimin zgjedhor, mbylli një kapitull, për të hapur një fazë të re në jetën politike shqiptare.

Opozita jashtëparlamentare mori gjithçka kërkoi me marrëveshjen e 5 qershorit të arritur në tryezën e Këshillit Politik, e cila është pranuar gjerësisht edhe nga ndërkombëtaret, se është zbatuar me përpikmëri nga PS. Sikundër edhe opozita e re Parlamentare, mori ato që ajo gjykoi se do ti shërbenin asaj vetë dhe rritjes së standareve të procesit. PD dhe LSI politikisht bënë zhurmë rreth votimit të kësaj të hëne dhe me siguri që do të bëjnë edhe ca në të ardhmen. Jo se nuk i pëlqyen ndryshimet, por sepse do të donin që ti kishin propozuar vetë ato, nëse nuk do i kishin djegur mandatet e deputetëve.

Ky është mësimi më i madh që duhet të nxjerri sot lidershipi i partive të “Opozitës së Bashkuar” dhe leximi më i qartë që duhet ti bëjë pësimit, për të nxjerrë mësimet në të ardhmen. Dalja nga sistemi politik dhe demokratik i vendit, duke braktisur përfaqësimin e popullit opozitar në Parlament dhe pushtetin lokal, është një eksperiment i dështuar politik për Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Ishte pjekuria politike dhe koshienca shtetformuese e PS, ajo që ia bëri më të lehtë rikthimin në sistem të opozitës jashtëparlamentare, përmes derës së zgjedhjeve të reja.

Mesazhi është i qartë sot e përgjithmonë, se në këtë sistem ku po jetojmë sëbashku prej 30 vjetësh në Shqipëri: Në pushtet mund të vish me votë dhe të rikthehesh në opozitë, vetëm me votë. Askush nuk mund të fitojë pushtetin në tavolinë përmes nxitjes artificiale të revolucioneve nga lart, nëse populli e ka shprehur vullnetin e vet të lirë me zgjedhje. Delegjitimimi i Parlamentit dhe i qeverisë së dalë prej saj, nuk mund të bëhet përmes trukeve politike, të cilat fshihnin një qëllim krejt tjetër nga ajo që artikulohej. Reforma në drejtësi shpëtoi dhe nuk ka për tu penguar dot më kurrë.

PS e lexoi aq qartë këtë tablo politike, sa i duhej të ruante ekuilibret demokratike, mes dy realiteteve të reja të krijuar. Opozita jashtëparlamentare duhet të kuptojë përfundimisht se shkaktoi autogolin me qesharak në portën e saj. Ndaj i duhet të rikthehet sa më parë në lojë për të rikuperuar disavantazhin. Ndërsa opozita e re parlamentare me pragun elektoral 1% të sapo miratuar, me listat e hapura të kandidatëve për deputetë dhe me koalicionet parazgjedhore, mund të futet në lojë pas zgjedhjeve për të krijuar një realitet të ri politik në fushën e opozitës.

Mazhoranca socialiste e ka patur, e ka dhe do ta ketë shumë herë më të thjeshtë sesa të dyja palët e tjera opozitare, leximin e 25 prillit. Duke qenë e vetme në garën e 2021, ashtu sikundër ishte edhe gjatë 2017, PS e ka deklaruar herët objektivin e saj elektoral: Fitoren e mandatit të tretë radhazi, qeverisës të vendit për; Përfundimin e procesit të ngritjes së institucioneve të sistemit të ri të drejtësisë; Realizimi i projektit të rindërtimit të vendit pas tërmetit rrënimtar të 26 nëntorit; Ringritja social-ekonomike e vendit, pas goditjes së pandemisë globale,- janë tri nga sfidat kryesore për tu përballuar.

Menjëherë pas miratimit në Parlament të rregullave të lojës së re elektorale dhe përzgjedhjes së trupës që do ta administrojë atë, PS nuk ka humbur kohë. Të premten e kësaj jave, do të mbledhë në Tiranë Asamblenë Kombëtare të zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë në kongresin e 29 shkurtit, për të konfirmuar edhe strukturat e tjera kryesore drejtuese. Me siguri që fjalimi i Kryeministrit Edi Rama në këtë forum të lartë, do të shërbejë si platforma politiko- elektorale, për fushatën që ka trokitur tashmë.

Dy partitë e mëdha PS dhe PD, kanë dohë që kanë nisur punën me strukturat në bazë, për tu bërë gati për në garën e madhe të pranverës. Edi Rama është shprehur gjithnjë e më i sigurtë për fitoren e mandatit të tretë qeverisës. Ndërsa Lulzim Basha, vjen vërdallë nëpër qytet me maskë, si për të treguar se të paktën ka mësuar të ruhet. Ndërsa zhurma më e madhe, po vjen nga partia më e vogël, LSI-a e Ilir Metë. Shenjë e qartë se ashtu si Basha, edhe Presidenti po e lexon qartë, humbjen që e pret.