Kryeministri Edi Rama në hapje të mbledhjes së dy qeverive, Shqiperi-Kosovë bëri të ditur se ambicia kryesore është heqje e kufirit. Teksa përmblodhje arritjet e marrëveshjeve, kreu i qeverisë shqiptare i bëri thirrje dy ministrive të Brendshme që të intensifikojnë punën dhe të krijojnë një database për të kontrolluar hyrjet dhe daljet. Sipas Ramës, heqja e kufirit mes dy vendeve nuk do të thotë abuzim me lirinë e lëvizjes.
“Dua të theksoj hapjen e pikave kufitarë dhe përmirësimin e infrastrukturës morinë Vërmicë. Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të BE në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është me rëndësi që ministritë e Brendshme të intensifikojnë punën për të krijuar databasen e përbashkët dhe për të kontrolluar në kohë reale të gjitha hyrjet dhe daljet. Kjo do të na mundësonte hapjen e kufirit. Por pa abuzuar me lirinë e lëvizjes”, tha Rama.
Ndër të tjera kryeministri Rama tha se po punojnë për të cuar përpara projektet e përbashkëta. Ndërsa theksoi se deklarata e nënshkruar në janar 2014 mbetet udhërrëfyes për integrimin sa më të ngushtë mes dy shteteve tona. “Kemi rënë dakord që të investohemi së bashku për të çuar përpara një projekt të përbashkët duke filluar sa më parë nga puna për 150 vjetorin e lidhjes së Prizrenit që është larg në kohë, por jo aq larg sa për të menduar për një projekt të përbashkët rikualifikimi të qytetit historik të shqiptarisë.
Takimet ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, zhvilluar në frymën e bashkëpunimit janë një mundësi shumë e mirë qoftë për të bërë një bilanc të hepave të hedhur, qoftë për të hedhur piketat e hapave të mëtejshëm. Deklarata e nënshkruar në janar 2014 mbetet udhërrëfyes për integrimin sa më të ngushtë mes dy shteteve tona. Hapat e hedhur nuk janë të vegjël. Nëse i referohemi mbledhjesh së fundit në Pejë, mund të konstatojmë se të gjitha dokumentet e nënshkruara janë në proces zbatimit ose ka përfunduar“, tha kryeministri.