Marilena Feimi është një histori frymëzuese dhe shembull kuptimplotë i një gjenerate të rinjsh shqiptarë që investojnë shumë te vetja, me dëshirën për ta ndërtuar jetesën vetëm me punë dhe me pasionin për ta vënë kapitalin e tyre intelektual në shërbim të vendit.
“Ajo aplikoi në platformën e punësimit të ekselentëve “Punë të Mbarë”, duke lënë Italinë dhe me meritë, përmes rezultateve të larta në studime, fitoi vendin e punës si Doganiere e Kontrollit Fizik, në Degën Doganore të Durrësit (Porto Romano), aty ku të rinjtë ekselentë, të komunikueshëm dhe me integritet si Marilena, janë fytyra e administratës europiane që kemi nisur të ndërtojmë”, tha Kryeministri Edi Rama. Ai tha se “si shembulli i Marilenës, janë plot 602 ekselentë, të punësuar përmes platformës http://punetembare.gov.al/ që kanë rienergjizuar, por edhe pasuruar me dijet e tyre administratën publike, e cila qëndron në zemër të reformave europianizuese të vendit”.
“Isha shumë skeptike për të aplikuar, kisha dhe një shami në kokë, por për faktin se shoqëria jonë është disi mënjanuese për vajzat me shami kjo më trembte disi. Vendosa të aplikoja me shpresën se diçka e mirë do të dali. Mbas disa ditësh më erdhi e-mail-i që nuk kisha plotësuar të dhënat në mënyrën e duhur. Ngarkova të gjitha dokumentet në formatin e kërkuar dhe më pas më erdhi njoftimi që kisha rezultuar fituese. Kam mbi 1 vit e gjysmë që jam punësuar si doganiere fizike dhe para një jave mora emërimin në këtë pozicion”, tha Marilena. Ajo u shpreh se “ndërpreva çdo lloj studimi dhe jetese që kisha nisur jashtë për t’u rikthyer në vendin tim”. “Ekselentët ishin një frymë e re në tregun e punës si në ide, në menaxhim dhe gjithçka”, tha ajo.