Vendoset guri i parë i themelit në lagjen “5 Maji” në Tiranë, e cila do të strehojë 11 mijë banorë të cilët humbën banesat e tyre në tërmetin e 26 nëntorit. Kompleksi i përbërë nga 7 pallate do të përfundojë brenda 2021, ndërsa banorët e rinj tanimë kanë në dorë kontratat e shtëpive të tyre. Gjatë punimeve do të punësohen 1.600 persona në mënyrë direkte, si dhe mijëra të tjerë indirekte. Pallatet e reja do të kenë të gjithë parkime të dedikuara për banorët, shkolla, çerdhe, kopësht, qendër tregtare, godina biznesi, park dhe shesh-pushimi.
Lagjia e re, e cila është e arritshme përmes rrugës “5 Maji”, që bashkohet me Unazën pranë tregut të Medresesë është konceptuar si një miniqytet i integruar në një territor të gjerë, që do të urbanizohet në këndin që përfshin bashkimin e Bulevardit të Ri me Unazën e Madhe të qytetit. Paralelisht, ka përfunduar lidhja e kontratave edhe për lagjen e re që do të ndërtohet në Kombinat dhe brenda muajit nëntor pritet të nisë edhe atje ndërtimi i kompleksve të reja. Aktualisht është drejt përfundimit faza e parë, ajo e ndërtimit të banesave individuale në të gjithë vendin, ndërsa ka nisur puna për lagjet e reja në Durrës, Shijak, Laç, Fushë-Krujë, Vorë dhe Thumanë.