Nga Astrit Patozi/
Mund të bësh çfarë të duash Jozefina, parti, lëvizje, shoqatë, grupim, koalicion, aleancë etj dhe je në të drejtën e Zotit. Edhe në të drejtën tënde, sigurisht, si një ndër personalitetet e forta të Partisë Demokratike në vite, por edhe të së djathtës në përgjithësi.Vetëm një gjë do ta kisha këshilluar modestisht të mos e bëje: që të humbje kohë, duke u marrë me stalinistët e fundit në Europë, të cilët veçse të bëjnë nder duke të sulmuar. Nuk pretendoj t’i njoh sa duhet ish-republikat e largëta sovjetike sot, por jam i sigurt se në kontinentin tonë nuk gjenden të dytë si këta shakaxhinjtë e Republikës së Re.
Ata e dinë se opozita është pronë dhe ti je duke i hyrë në oborrin e tyre, ndaj dhe kanë frikë se mund t’u marrësh ndonjë copë. Nuk kanë faj, se të tillë e kanë parë shembullin nga i pari i tyre në gjithë këto vitet e fundit. Por tek e fundit, janë të siqertë në këtë. Edhe në Shqipëri nuk kanë mbetur të tjerë që ta mendojnë politikën kaq vjetërsisht sa këta. Madje as tek ata që trashëguan Partinë e Punës, që r përmbysëm në 1990-ën. Të cilët janë aq të mençur sa të mos e konsiderojnë tradhtar Ilir Metën, megjithëse ka më se 15 vjet që po ua nxin jetën, sepse me sa duket e kanë mbledhur mendjen që jetojmë në një sistem të ri, edhe pse nuk e kanë dashur, madje ende mund të mos e duan.
Që të mos zgjatem me këtë temë të pakëndshme, këta janë të vetmit “pronarë” në botë, që tërbohen pasi marrin vesh se personi, që kanë larguar nga ndërmarrja e tyre, ka mundur të gjejë një punë tjetër. Dhe si unikalë që janë në marrëzinë dhe injorancën e tyre, ata duhen mëshiruar dhe injoruar.