Ka dy ditë që ish ministrin e Shëndetësisë dhe një prej ekspertëve kryesorë të shëndetësisë, me të cilët takohet Kryetari i PD në takimet e veta “me ekspertë”, nuk e mban vendi. Gjatë gjithë verës, Tritani dhe Partia Demokratike akuzonin qeverinë, se nuk po merrte asnjë masë për sigurimin e vaksinave antigrip. Edhe pas informacioneve të qeverisë dhe konkretisht ISHP, se porosia për vaksinat, nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare të autorizuara dhe serioze, është bërë që në muajin prill, sërish nga selia blu, nuk reshtën akuzat. Tre ditë më parë, kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi madje se “qeveria e ka harruar fare vaksinën e gripit”. Një deklaratë që është hedhur poshtë me fakte, nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ministrja deklaroi në emisionin “Open” se sasia e parë e vaksinave antigrip ka mbërritur tashmë, ndërkohë që një ditë më vonë, kjo është vërtetuar pasi aplikimi i vaksinës ka nisur tek stafet mjekësore.

Dhe si gjithmonë, ky është momenti, kur Tritani i PD-së ndryshon menjëherë qëndrim, duke u kujtuar, siç ka bërë në shtatë muajt e kësaj pandemie, duke filluar që nga shkurti, kur akuzonte qeverinë se i mbante kufijtë hapur, dhe pa kaluar as tre ditë, po nga goja e tij, sulmonte qeverinë pse i mbyllte kufijtë. Tashmë që vaksinat kanë mbërritur, gjithë sa Tritani ka për të thënë është: “Mos hidhni fishekzjarre, Qeveria nuk ka realizuar ndonje mrekulli me ardhjen e nje sasie vaksinash Gripi! Kjo eshte vetem nje pjese e kesaj detyre elementare te qeverise, veçanerisht ne kete periudhe epidemie”.

24 orë më herët, akuzonin qeverinë se kishte harruar premtimin e saj për sjelljen e vaksinës antigrip, ndërsa në çastin që faktet konkrete nxjerrin zbuluar lehtësinë me të cilën gënjejnë njerëzit, kthejnë menjëherë pllakë dhe thonë që “dakord, qeveria i ka sjellë, por ka bërë thjesht detyrën”. Ndërsa për statuset e njëpasnjëshëm të tij mbi besueshmërinë e vaksinës, me siguri do të marrë një përgjigje nga institucionet prestigjoze ndërkombëtare që kanë realizuar blerjen e saj dhe me të cilët qeveria shqiptare ka bashkëpunuar. Sepse serioziteti i institucioneve ndërkombëtare që kanë realizuar procesin, nuk ka vlerën e deklaratave para buke dhe pas buke të një ish ministri qesharak që, një herë ngre zërin për vaksinën antigrip, dhe një herë reshtohet mes skeptikëve.