Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka braktisur përfundimisht misionin e tij si simbol i Unitetit të Kombit dhe një president mbi palët, duke marrë rolin e kryeopozitarit, deri në banalitet.Nëse kreu zyrtar i opozitës Lulzim Basha në daljet e tij publike, merret ndoshta vetëm njëherë në ditë me kundërshtarin e tij politik, kreu i shtetit e fillon dhe e përfundon ditën me sulme ndaj kryeministrit Edi Rama, duke mos lënë pas dore as ditët e shtuna dhe të diela.

Një President që bën opozitarin me kohë të plotë, gjatë gjithë ditës bashkë me gjithë stafin presidencial që paguhet për të qënë “roje” e Kushtetutës, e zbatimit të ligjit dhe e qëndrimit mbi palët në Presidencë, merret me përpunim videosh, postim deklaratash dhe turli marrëzirash që dhe pa këto jeta e shqiptarëve është mjaft e rënduar.

Ditën e dielë Ilir Meta, pasi ka bërë një shëtitje në një pyll gështenjash, lëviz me karburantin dhe makinën e shtetit, ka përzgjeedhur disa citime të konkluzioneve të raportit të ‘Freedom House’, për Shqipërinë, gjatë kohës së pandemisë.

Duke i nxjerrë jashtë kontekstit, e duke mos i krahasuar me vendet e tjera, Presidenti akuzon qeverinë dhe Ramën se vendosën Juntën për të bllokuar qytetarët të dalin në kohën e pandemisë.

Me anë të një postimi në në rrjetin social Meta shprehet se konkluzionet e Organizatës “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19, konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshket me shpejtësi, për shkakt të ngërçit dhe në sistemin e drejtësisë.

Meta shkruan se janë alarmante të dhënat e raportit se krahu ekzekutiv që ishte edhe më parë dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë.

Gjithashtu ai solli në vëmendje dhe paketën antishpifje për të cilën shkruan se pavarësisht se është kundërshtuar fort, ajo vijon të kalojë në procesin parlamentar.

Sipas Kreut të Shtetit shqiptarët po përgatiten për Referendumin më të rëndësishëm në këto 30 vite kundër tiranisë dhe babëzisë së një bande, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as të drejta të njeriut.

Këto janë me pak fjalë evidentimet kryesore të raportit të Organizatës “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19, që sipas Metës konfirmojnë dhe shqetësimin e LSI dhe PD se vendi po rrëshket me shpejtësi drejt një junte me “grusht të hekurt”.

Ndonëse kjo organizatë është treguar shumë e ashpër dhe për vende të tjera me demokraci të zhvilluar, të cilat në kohën e pandemisë u detyruan të vepronin me ashpërsi për izolimin e qytetarëve dhe bllokimin e përhapjes së pandemisë, Presidenti Ilir Meta ngre shqëtësimin në mënyrë publike sikur vetëm në Shqipëri ka pasur izolim.

Për hir të së vërtetës, shqiptarët e kanë marrë “lehtë” këtë acarim të vonë të Metës për shkeljen e demokracisë në kohën e pandemisë së koronavirusit ku njerëzit u izoluan dhe dolën vendime të rrepta si penalizime për shkelësit e karantinës. Që dhanë dhe rezultat për mbrojtjen e jetës!

Themi kështu, pasi vetë Presidenti Ilir Meta i mbështeti të gjitha masat drastike të qeverisë së Ramës. Madje u bë palë me Ramen e qeverine dhe në thirrjen për qytetarët që të respektojnë rregullat dhe vendimet e dala në këtë periudhë nga qeveria, si një masë për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Dhe nuk është se masat nuk dhanë rezultat, por nga ana tjetër pati dhe një “dashuri” sezonale mes Ramës dhe Metës, pikërisht në këtë periudhë pandemie.

Kjo “dashuri” politike Rama-Meta gati tronditi themelet e koalicionit opozitar, duke arritur deri atje sa dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ta mohonte bashkëshortin e saj Ilir Meta. Themi për pjesën politike, pasi për pjesën tjetër pavarësisht zërave nuk ka asnjë prove dhe fakt që të ketë ndodhur.

Ajo që na bën më shumë përshtypje, është fakti se Meta beson shumë në raportin e organizatës “Freedom House”. Dhe nuk besojmë se bën ndonjë mëkat, vetëm se na kthen pas në kohë.

Pikërisht dy vite më parë, organizata “Freedom House”, në prill të vitit 2018, publikoi gjetjet për nivelin e demokracisë në Shqipëri për vitin 2017.

Sipas konkluzioneve të këtij raporti të “Freedom House”, Shqipëria është në kategorinë e vendeve me demokraci në tranzicion ose regjim hibrid, ndonëse ka shënuar një ngritje të lehtë në pikët e përgjithshme, falë zgjedhjeve të fundit, 25 qershorit 2017, që u zhvilluan të qeta.

Në kapitullin për Shqipërinë të raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House “Vendet në Tranizicion”, një përmbledhje të së cilit e përgatiti Zëri i Amerikës, thuhet se arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën nga zgjedhja si president i Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” .

Por nuk ndalen me kaq konkluzionet e organizatës “Freedom House” për Shqipërinë, teksa paraqet dhe vështirësitë e implementimit të Reformës në Drejtësi dhe ngjitjes së njerëzve më të korruptuar në vend në krye të shtetit.

“Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e PS.

Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”, thuhet në raport. Ndërkohë që në këtë rast Presidenca reagoi fort.

“Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.

Zgjedhja e Presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.

Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.

Nëse ‘Freedom House’ është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House”, reagoi Presidenca të atë kohë.

Tani organizata “Freedom House”, ose përdoret ose nuk përdoret, pasi rrugë të mesme nuk ka.

Por me sa duket Meta ka qënë gjithnjë në “ciklonin” e goditjes së organizatave dhe vendeve partnere si njeriu më i korruptuar në vend dhe largimi i të cilit, ndoshta dhe burgosja e tij, do t’i hapte rrugë integrimit të Shqipërisë në BE.

Deklarata tjetër ka trazuar politikën në vend, letra drejtuar Kongresit nga Adriatik Llalla: Donald Lu më ka kërkuar arrestimin e Metës

Donald Lu, kërkoi arrestimin e Ilir Metës, kur ai ishte kryetar i parlamentit, gjë që u refuzua nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Kërkesa e ambasadorit amerikan në Tiranë u bë në 2016-n në Zyrën e Llallës, u zbulua kur në faqen e ëebit të Kongresit amerikan u publikua një informacion i dërguar nga prokurori Llalla në lidhje me ndikimin e George Soros në Shqipëri.

Në faqen gjashtë të një raporti të gjate 18 faqesh Adriatik Llalla shkruan se: “Në një mënyrë jodiplomatike dhe kundër normave të Konventës së Vjenës, Ambasadori Lu më ka sugjeruar se duhej të arrestoja kreun e Parlamentit, njëkohësisht kreun e LSI, Ilir Meta”.

Sipas kësaj letre të dërguar nga Llalla thuhet se, në vlerësimin e Donald Lu, kreu i parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.

“Arrestimi i tij, shkruan Llalla, do të ndihmonte, sipas pikëpamjes së ambasadorit përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Por, Llalla thekson se një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e kishte detyruar atë të ndërpriste takimin, teksa i kishte shpjeguar ambasadorit amerikan se arrestimi i një personi, përfshi një zyrtar të lartë, bëhet vetëm mbi bazën e provave.

Kur ishte në detyrë Llalla nuk e nxori emrin e politikanit qe Lu kërkoi te arrestohej, por deklaroi se i gjithë sulmi i ambasadës amerikane ndaj tij vinte si shkak i këtij refuzimi.

Kërkesa e Lu-së me gjasë ka ndodhur në korrik të 2016-ës, pasi Ilir Meta në një konferencë për shtyp përpara gazetareve iu përgjigj indirekt ambasadorit Lu.

“Ç’është kjo retorikë: Hajde takohemi, po ti s’do të takohemi se ke frikë se do të fus në burg. Nuk ka kompromis me burg. Kompromisi nis “Unë do shkoj në burg, jo ti nëse kam shkelur ligjin”. Le të hetohem deri në fund”, shprehej Meta në Korrik të 2016-s.

Por me rëndësi është se Ilir Meta ka të paktën gjashtë vite që është një kandidat potencial për të qënë në burgun e sigurisë së lartë si njeriu më i korruptuar në vend, gjë për të cilin me sa duket nuk janë kundër as partnerët tanë ndërkombëtarë.

Prandaj Meta ka bllokuar dhe bllokon drejtësinë. Ndërkohë që nuk lë rast pa sulmuar qeverinë, mediat që e kritikojnë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sa herë që i shtrëngohet “laku” nga drejtësia e re./M.Nikaj-TemA