Autoriteti zviceran i medikamenteve, Swissmedic, njoftoi sot se po studionte kërkesën për autorizimin e vaksinës kundër COVID-19, zhvilluar nga “AstraZeneca” dhe Universitetit i Oksfordit. Kjo vaksinë është një prej projekteve perëndimore më të avancuara, e testuar në dhjetëra mijëra vullnetarë në botë. Kërkesa për autorizimin për hedhjen në treg në Zvicër u paraqit në fillim të tetorit nga grupi britanik.

Në një njoftim për shtyp, “Swissmedic” tregon se ka filluar ekspertizën shkencore mbi vaksinën, si pjesë e një procedure të rishikimit të vazhdueshëm për një kërkesë autorizimi. Kjo është vaksina e parë kundër COVID-19 që autoritetet shëndetësore zvicerane po shqyrtojnë.

Kjo procedurë lejon kompanitë farmaceutike të paraqesin kërkesa për autorizim për medikamente që trajtojnë koronavirusin e ri, edhe para se të përfundojë zhvillimi i tyre dhe të kompletohet dokumentacioni i kërkesës.