Vaksina eksperimentale kundër Covid-19, mRNA 1273 e Modernës përmbush kushtet për të prezantuar një kërkesë për autorizimin e hedhjes në treg në BE. Kjo është bërë e ditur nga kompania amerikane bioteknologjike, që ka pohuar se ka marrë një konfirmim të shkruar nga agjencia evropiane e ilaceve, EMA.
Procedura që do të ndiqet është e njëjtë me atë të nisur pak ditë më parë nga EMA për vaksinën e Oxfordit dhe AstraZenekës dhe të Biontech dhe Pfizer dhe lejon që kompanitë të paraqesin kërkesa për ilaçe dhe vaksina kundër koronavirusit, para se zhvillimi i tyre të ketë përfunduar dhe dokumentacioni të jetë i plotë.
Moderna po punon në Evropë me partnerët e saj strategjikë si Lonza në Zvicër dhe ROVI në Spanjë, për prodhimin e vaksinës së saj. Ajo parashikon të prodhojë 500 milionë deri në 1 miliard doza të vaksinës për Evropën, në vit, duke filluar nga 2021.