Kryeministri Edi Rama ndau sot një tjetër rast të punësimit të të rinjve me meritë në administratën publike.

“Suela Qemalli është rritur me pasionin e ushqyer nga një botë ku ngjyrat i japin formë mendimeve të saj si artiste, e cila ka vendosur që talentin dhe kreativitetin e piktores, idetë dhe arsyen e kultivuar prej vitesh, t’i vërë në shërbim të ndryshimeve në shoqërinë dhe vendin e saj”, tha Rama.

Pas studimeve në Akademinë e Arteve, ajo aplikoi për një vend pune në administratën publike përmes portalit të ekselentëve “Punë të Mbarë” dhe falë rezultateve të larta si studente e degës Pikturë-Grafikë fitoi pozicionin e punës si Specialiste në Drejtorinë e Politikave dhe Strategjive Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

“Në këtë pozicion ajo po jep një kontribut thelbësor në rrugën e rilindjes kulturore të vendit, si dhe në rritjen e angazhimit të artistëve të rinj, në axhendën kulturore të Ministrisë që e mirëpriti”, tha Rama.

Rama nënvizoi se “ashtu si Suela janë plot 602 studentë ekselentë që përmes platformës http://punetembare.gov.al/ fituan vendin e punës në administratën shtetërore,
e cila është përfshirë nga një valë e re reformimi dhe modernizimi me synimin e vetëm, ngritjen e saj në nivelet europiane të shtetbërjes”.

Nga ana e saj, Suela u shpreh se tashmë që është pjesë e Ministrisë së Kulturës, profesioni si artiste më ndihmon më shumë në kreativitetin si specialiste në Drejtorinë e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit Kulturor.

“Kam qenë pjesë si koordinatore e Paktit për Universitetin ku kam dhënë kontributin tim në atashimin e të rinjve, kryesisht të Universitetit të Arteve, duke i atashuar ata në aktivitete të ndryshme, produksione artistike. Ka qenë një nismë shumë e mbarë. Kemi pasur shumë ndikim dhe kanë qenë shumë artistë të rinj të gatshëm për të qenë pjesë”, tha ajo.

Suela tha se pas rezultateve të larta që kishte aplikoi në portalin “Punë të mbarë” ku përzgjodhi ndër institucionet, Ministrinë e Kulturës, e cila është më afër profesionit të saj.

“Pas punësimit tim me një kontratë 1-vjeçare tashmë unë pata mundësinë nga thirrjet e hapura nëpërmjet DAP, që rihapi thirrjen për studentët e ekselencës. Aplikova për punësim si nëpunës i shërbimit civil në Ministrinë e Kulturës, pozicion të cilin aktualisht po e ushtroj”, tha ajo.

Suela bëri një thirrje edhe për të gjithë studentët e ekselencës që të besojnë te vetja dhe te ata që i krijojnë këto hapësira”.