Derby i Merseyside dhuron emocione dhe spektakël, me Liverpoolin që vazhdon të mbetet i pathyeshëm përballë rivalëve ndërqytetas edhe pas më shumë se një dekade. Evertoni i drejtuar nga Carlo Ancelotti, edhe pse zhvilloi një ndeshje intensive dhe me shumë raste, nuk ia doli të merrte më shumë se një pikë.

Sfida në “Goodison Park” u ndez që në minutën e 3-të, kur Sadio Mane e pati të thjeshtë të devijonte për në rrjetë pasimin e Robertson në krahun e majtë të sulmit. Goli i barazimit nuk vonoi shumë, teksa në minutën e 19-të krosimi i James Rodriguez nga këndi gjeti kokën e Moise Kean që nuk i la asnjë mundësi portierit Alisson. Kaluan minuta të tëra me momente emocionuese te të dyja portat, për të ardhur te goli i Mohamed Salah në minutën e 71-të, me sulmuesin egjiptian që goditi befasisht një top të kthyer nga mbrojtja, duke i dhënë edhe një herë epërsinë në rezultat Liverpoolit. Gjithsesi, vetëm 9 minuta më vonë, Evertoni ktheu baraspeshën në rezultat (2-2) pas një finalizimi perfekt me kokë të Calvert-Lewin, i shërbyer nga e majta nga Lucas Digne. 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Richarlison i la “Toffees” në inferioritet numerik, pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj kundërshtarit. E pabesueshme se si në kohën shtesë Liverpoolit iu anulua një gol i realizuar nga Henderson për pozicion milimetrik jashtë loje. Edhe me pamjet e përsëritura ishte e vështirë për ta dalluar pozicionin më të avancuar të lojtarit të “The Reds”. Evertoni me pikën e fituar ruan kryesimin e Premier League-s me 13 pikë, tri më shumë se Liverpooli.