Komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit, Olivier Varhelyi, tha sot se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe ky është interes strategjik i vendeve evropiane. Ai i bëri këto komente gjatë qëndrimit në Prishtinë, pak ditë pas publikimit të Raportit të përparimit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.
Duke ju drejtuar deputetëve të parlamentit të Kosovës, zoti Varhelyi tha se Bashkimi Evropian do të ndajë fonde dhe do të ndihmojë vendet e Ballkanit për të përmbushur kushtet për integrim evropian. Ai përmendi planin e investimeve që parashikon ndarjen e fondeve miliardëshe për të ndihmuar vendet e rajonit. Bashkimi Evropian miratoi këtë javë një pako prej 9 miliardë eurosh të granteve për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2027. Zoti Varhelyi tha se në bashkërendim me institucionet financiare ndërkombëtare po punohet për një fond tjetër prej 20 miliardësh për rajonin.
“Sidoqoftë, rritja e investimeve dhe e zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor do të jetë e mundur vetëm nëse qeveritë janë vendosmërisht të përkushtuara dhe zbatojnë reformat themelore bazuar në vlerat evropiane; qoftë reformat ekonomike strukturore, forcimin e sundimit të ligjit ose përmirësimin e administratës publike, këto reforma janë thelbësore”, tha ai. Komisionari Varhelyi tha se heqja e tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina i ka hapur rrugën rifillimit të bisedimeve dhe mundësisë për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndihmojë këtë proces dhe shpresoj që të dyja vendet mund të shënojnë përparim në muajt që do të vijnë për të arritur një marrëveshje normalizimi ligjërisht të detyrueshme që është e rëndësishme për Serbinë dhe Kosovën, për të avancuar rrugën e tyre evropiane”, tha ai. Zoti Varhelyi zhvilloi takime me përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, ndërsa në një konferencë me kryeministrin Avdullah Hoti, bëri thirrje që të përshpejtohet puna në përmbushjen e reformave drejt rrugës evropiane të Kosovës.
“Përshpejtoni reformat sepse këto investime shkojnë së bashku me përpjekjet për reforma dhe e di që qeveria juaj është mjaft e përkushtuar, mirëpo duhet të angazhohet dhe zotohet më shumë për shpejtimin e reformave që lidhen me sundimin e ligjit”, tha ai. Zoti Varhelyi tha se përmes planit për investime synohet që Ballkani Perëndimor të afrohet më afër Bashkimit Evropian dhe të rritet bashkëpunimi rajonal. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se plani i investimeve dhe rimëkëmbjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor është një lajm i mirë për Kosovën dhe rajonin, ndërsa u zotua se Kosova do të angazhohet për të përmbushur reformat e nevojshme të kërkuara nga institucionet evropiane.
“E sigurova komisionerin që ne jemi të vendosur për t’u çuar përpara reformën e agjendave evropiane, e them me kënaqësi që sot ne prezantojmë publikisht para qytetarëve bashkë me komisionerin dokumentin e ri të reformave evropiane 2, ku listohen obligimet kryesore, detyrat kryesore që duhet të ndërmarrin të gjitha institucionet e vendit. Ne tashmë kemi pranuar raportin e KE-së ku jepen vlerësime sigurisht për sfidat që ka vendi por edhe jepen vlerësime për vendosmërinë e kësaj qeverie për të çuar përpara këto reforma dhe për të prekur sfidat kryesore nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Hoti. Kryeministri Hoti tha se bashkë me procesin e reformave, Kosova do të mbetet e përkushtuar në bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.
“Kemi bërë progres nga korriku e këndej kur kemi filluar këtë proces, me rëndësi të thuhet është që ekziston konsensus i plotë shoqëror në Kosovë për proces të dialogut dhe kjo qeveri është e përkushtuar për këtë proces, sigurisht ka tema të vështira të cilat duhet të gjejmë formën se si i tejkalojmë drejt marrëveshjes përfundimtare”, tha kryeministri Hoti. Ai tha se dakordimi për normalizim të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë është një hap i rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel. Kryeministri Hoti tha se Kosova do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për të arritur një marrëveshje për njohje të ndërsjellë me Serbinë, por nëse kjo nuk arrihet ai tha se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të mbesin dy vende të pavarura që nuk e njohin njëra tjetrën.