Për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi sot nga Njësia 3 se Partia Socialiste punon dhe po bashkon këdo që të ardhmen e tij e sheh në Shqipëri. Kurse, sipas tij, Partia Demokratike i trajton votat e shqiptarëve si bast dhe Shqipërinë si bingo, përderisa Lulzim Basha e mban në xhep biletën për Hollandë.
“Ata nuk kanë lidhje me hallet e qytetarëve, ata kanë vetëm merakun e tyre. Ata s’kanë as shtetësi shqiptare. Rivalin tonë s’e voton dot as familja e vet, se kanë ndërruar të gjithë shtetësinë. Shqipërinë nuk e trajtojnë si Luiza, që thotë, e kam ofertën për një jetë më të mire, por do luftoj, do punoj, do stërvitem këtu, që të jap një kontribut me të gjithë ju. Ata i kanë fëmijët në Hollandë, në Angli. Shqipërinë e kanë si bingo. Po iu ra, mirë, po nuk iu ra, valixhet aty janë, kthehen kollaj andej nga kanë ardhur. Për ne socialistët ka vetëm një plan: Tirana, Shqipëria, vendi ynë dhe atdheu ynë. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.
Drejtuesi politik i socialistëve për qarkun e Tiranës, tha se ata që kërkojnë sot përsëri pushtet, për 30 vite janë përpjekur vetëm të përçajnë shqiptarët dhe të pasurohen vetë.
“Ne duhet të bëjmë një fushatë pozitive, një fushatë që i bashkon njerëzit, që fokusohet te puna. Ata po bëjnë një fushatë bazuar në gënjeshtra dhe përçarje. Ka 30 vjet që mundohen të na përçajnë. Ne po iu themi sot si tirons, nuk përçahemi, nuk pajtohemi me kulturën e dhunës, nuk shajmë dhe nuk urrejmë njeri. Ne jemi këtu që të punojmë dhe t’u shërbejmë të gjithëve. Për ata, politika është shou televiziv, është si Big Brother: Kë do eliminojnë sot nga shtëpia. Për ne është shërbesë, thirrje për të shërbyer”, theksoi Veliaj.