Kryebashkiaku Erion Veliaj, njëherësh drejtues politik për Tiranën u shpreh se Partia Socialiste do të marrë edhe një mandat të tretë qeverisës.

Nga Asambleja e PS në Njësinë 9, Veliaj komentoi krijimin e disa partive të reja të dala nga Partia Demokratike, ndërsa shtoi se as demokratët nuk e diskutojnë rikthimin e tretë të Berishës.

“Sot e kësaj dite, diskutohet rikthimi i tretë i Saliut. Sot nuk është temë rikthimi ose vazhdimi ose rinovimi i kontratës së tretë të Edi Ramës dhe PS. Sot duhet të jetë temë që duhet të na acarojë të gjithëve, të na mërzisë, të na mobilizojë të gjithëve, fakti sesi mund të kthehet ai i karantinës së pare, jo prej një sëmundjeje që e solli qeveria, po prej një fatkeqësie që e orkestroi dhe inkurajoi qeveria e Sali Berishës?! Si mund të diskutojmë ne sot rikthimin e tyre për herë të tretë?! Lajmi i mirë është që edhe vetë demokratët nuk e diskutojnë, ndaj kanë krijuar 5 parti të tjera, se as ata vetë nuk besojnë dot që mundet në vitin 2020 të rikthehet prapë Saliu dhe ‘gjumi’ në Tiranë, të kthehet prapë stili i gënjeshtrave dhe mashtrimit”, tha Veliaj.