Ka kaluar vetëm një jave nga dita kur Komisioni për Vlerësimin e Kandidaturave drejtuar nga Genc Ruli i përcolli kryesisë së partisë dy lista; atë kaluese dhe atë që sipas komisionit nuk duhej të shqyrtohej në garën për deputet. Ishin 13 emra anëtarë të kryesisë dhe grupit parlamentar prej vitit 2017, që ishin përjashtuar. Ajo që surprizoi në këtë listë nuk ishte veprimi i Komisionit, por emrat që u hoqën, për të cilët, PD-ja u detyrua të sqarojë publikisht se nuk ishin hequr por kalonin në listë pritje dhe se vendimi përfundimtar merret nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar. Në këtë listë përfshiheshin prurje politike direkt nga Lulzim Basha, si Ervin Salianji, Arben Kashahu, Endri Hasa, Izmira Ulqinaku apo Romeo Gurakuqi. Qysh prej asaj dite, Basha e ka sqaruar në çdo dalje medatike (kur është pyetur nga media) se kompetencën për listën e ka vetëm kryesia e partisë, pa dashur të japë ndonjë koment shtesë për punën e komisionit veprimtarinë e të cilit ai e konsideron risi dhe korrekte. Por, përpos asaj që Basha thotë, ajo që po vihet re nga daljet e komanduara nga selia blu është se nga lista e të përjashtuarve PD-ja zyrtare po aktivizon të paktën dy prej tyre si zëra politikë dhe publik për të.

I pari është Endri Hasa kandidat për deputet në Elbasan. Në një javë nga shpallja zyrtare e listës, Endri Hasa është lançuar nga PD-ja përmes postimesh dhe konferencash për shtyp plot gjashtë herë ndonjëherë për rendin, por më së shumti për situatën e pandemisë. I dyti të cilit herë i shpërndajnë postimet në Facebook e herë del në deklarata mediash është Ervin Salianji. Në një javë ai ka dalë tre here për çështje të sigurisë, së fundmi edhe për gafën e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për policinë. Kësaj liste favorizuese (por ky më shumë me vullnetin e tij sesa të partisë) po përpiqet që t’i bashkohet edhe kryetari i PD-së, Fier, Luan Baçi.

Fillimisht përmes një letre të gjatë që kryesia e PD-së, Fier i dërgon zyrtarisht Lulzim Bashës se kryetari i tyre duhet përfshirë në listën e kandidatëve për deputet dhe më pas në një dalje mediatike nga Fieri, ku Baçi ish kujdesur që prapa shpinës së tij, të varte në mur një fotografi të madhe të Lulzim Bashës, për të treguar kështu devocionin e tij të madh ndaj kryetarit, që ndoshta edhe mund të shpërblehet. Deri sa kryesia të mblidhet dhe lista të dalë zyrtarisht të tjera ujëra do të rrjedhin, por përzgjedhja e Bashës për këto emra duket se nuk do të ndryshojë. Sa kohë që nga PD-ja daljet e tyre apo edhe postimet në Facebook përcillen zyrtarisht po njësoj si për Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtorin e Kabinetit, kryetarin e FRPD apo edhe zëdhënësin e partisë (SI)