“Vota në 25 prill do të jetë një problem shumë i madh për demokratët dhe këdo që mund të ketë arsyet e veta që të mos na votojë ne, sepse këtu çështja është që voton për Lulin, por merr paketë Ilirin dhe Monikën bashkë me Lulin”, – tha sot Kryeministri Edi Rama.
Në mbledhjen e Asamblesë të Partisë Socialiste, Rama foli edhe për opozitën. “Luli mezi po mban Saliun. Imagjinoni Lulin kryeministër, Monika shefe llogarie dhe Iliri me dekorata. Dhe Luli si ‘ushtari i mirë Rajan’, që ne duhet ta shpëtojmë. S’e imagjinoj dot një demokrat që niset si te piramidat, ‘jep një merr dy’, e në fund e panë çfarë morën. Shkon nisesh ia jep Lulit votën me gjithë këto listat e deputetëve, se që ti të votosh për ata që do, e di, por që ti të votosh ata që s’do, kjo vetëm me Lulin është parë. Lulit kjo i vjen nga stresi që ka nga Iliri dhe Monika, por s’di si t’i heqë. Ku hiqen ata, ne e dimë çfarë kemi heq, është hall shumë i madh. Shyqyr që e prishëm atë trenin e madh, se këta janë komplet në një situatë sa qesharake, aq dhe të rrezikshme. Luli është vetëm pasagjer aty i veshur si ai që i jep lokomotivës. Lokomotivën e lëviz Iliri, Saliu është skrapamento gjithë kohës që ndot dhe ajrin për të shpërndarë panik, Monika është fatorino dhe Luli me kapelen që përshëndet ata që janë në plate”, – tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se “do jetë një fushatë shumë interesante dhe shumë e bukur”. “Më ka ardhur shumë keq kur më akuzonin se dua t’i ndaj ata. Lulin dua ta shpëtoj, këtë nuk e mohoj, por që t’i ndaj ata kurrë. Të gjithë atje bashkë. Nuk e di kush e mbulon unazën e re këtu, por kemi dhe boshllëkun e lënë nga djali i Fahriut, por do marrë dekoratën dhe Fahriu tani për vlera të veçanta për lirinë e shtypit, ndërsa djali i Fahriut do kthejë unazën mbrapsht për LSI-në”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne duhet ta ndihmojmë Ilir Metën që t’u thotë shqiptarëve se çfarë do akoma”. “Që nga Skënderbeu deri sot, asnjë tjetër nuk i ka pasur ato që ka pasur Ilir Meta. Kryeministër 30 vjeç, kryetar parlamenti 40 vjeç, President 50 vjeç. Çfarë do përveç dekoratës për 60-vjetor? Çfarë borxhi i ka këtij Shqipëria?” – tha Rama.