Në orën 18:00 ka përfunduar procesi i votimit në Partinë demokratike nga ana e anëtarësisë, të cilët kanë votuar mes 140 emrash të propozuar. Në Kamëz, e cila njihet si përkrahëse e flaktë e demokratëve, është edhe dega që ka bojkotuar këtë proces votimi duke shënuar një pjesëmarrje tepër të ulët. Vetëm 21.7% e anëtarësisë së PD-së. Nga 4600 anëtarë me të drejtë vote në Kamëz kanë marrë pjesë rreth 1000 veta.
Gjatë procesit të votimit është vënë re edhe një pjesëmarrje e ulët në krahasim me qarqet e tjera. Tashmë ka filluar numërimi i votave dhe pritet të përmbyllet brenda pak orësh. Report Tv siguroi pamje nga transportimi i kutive të votimit në selinë blu. Kjo është hera e parë që po numërohen votat në selinë e Partisë Demokratike, nga ‘Basha’, në selinë e partisë së tij.
Për sa i përket edhe listës së kandidatëve të cilët PD kërkon që të shkojë në zgjedhje përballë PS-së, ka patur disa surpriza, pasi kanë qenë emra të shumtë të cilët kanë ngjallur debat. Ka patur emra artistësh, sportistësh, por edhe ish-funksionarë të lartë të policisë së shtetit që janë futur në listën me 140 emra. Ky ka qenë edhe qarku i fundit që ka përmbyllur votimet e anëtarësisë se Partisë Demokratike, më herët është votuar edhe në 11 qarqet e tjera.