Teksa SHBA-të janë nën ethet e zgjedhjeve presidenciale, Java në RTSH kishte të ftuar dy personalitete nga jurisprudenca dhe diplomacia për të diskutuar garën mes Donald Trump dhe Joe Biden. Avokatja shqiptare në SHBA, Era Makoçi, komentoi në studio tiparet dalluese mes kandidatëve dhe jo vetëm. E përbashkëta mes Joe Biden dhe Donald Trump është se ata janë të dy meshkuj të bardhë dhe në një moshë të madhe. Ndërsa Trump ka disa avantazhe strukturale pasi kolegji zgjedhor në SHBA nuk përkon me votën popullore në të gjithë shtetet. Avokatja shtoi se Trump ka sfiduar të gjitha normat e pashkruara të Kushtetutës. Në renditjen e arritjeve në katër vite të presidencës Trump, në vend të parë stafi i tij ka vendosur fitoren mbi koronavirusin. Mendoj se shumica e votave të popullit amerikan do të shkojnë për Joe Biden, por është e pasigurtë se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë – tha Era Makoçi.

Ndërkohë Java në RTSH pati edhe një lidhje direkte me diplomatin e shquar, Agim Nesho. Përmes Skype, ish-ambasadori jonë në OKB tha se nëse në zgjedhje do të ketë kontestime për procesin e votimit atëherë kjo është një çështje që i takon Gjykatës së Lartë.

SHBA ka demokracinë më perfekte në botë dhe ajo që vendos Gjykata e Lartë nuk mund të kundërshtohet pavarësisht mendimit të palëve. Trump mund ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve, cilido qoftë ai, por mund të kërkojë të vijojë me frymën e populizmit. Në politikën e jashtme Trump ka shfaqur mungesë strategjie të qartë për çështje të ndryshme dhe ka paraqitur disa variacione për zgjidhjet e nevojshme – tha Nesho. Ai shtoi se nëse Joe Biden do të shpallet fitues, politika e jashtme e SHBA-ve do të jetë e bazuar në rregullat e përcaktuara dhe në aleancat e nënshkruara më parë. Joe Biden mendoj se do të zhvillojë një politikë të jashtme të bazuar në strategji të mirëpërcaktuara – tha diplomati në studion e emisionit “Java në RTSH”.