Aksi i rindërtuar Lumalas-Melçan-Porodinë është një tjetër projekt i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore, në shërbim të zhvillimit bujqësor dhe turistik të Korçës. Kryeministri Edi Rama publikoi sot fotografi nga ky aks i rindërtuar, ndërsa theksoi se “ky aks përmirëson aksesin në këtë zonë me prodhim të lartë bujqësor dhe lehtëson tregtimin e prodhimeve të fermerëve”. Rikonstruksioni i plotë i 3 kilometrave rrugë në këtë aks të rëndësishëm përmirësoi lëvizjet e transportit dhe aksesin në tokat bujqësore për banorët e këtyre fshatrave.

Lumalas–Melçan–Porodinë shtrihet në perëndim të qytetit të Korçës, në distancë rreth 10 km nga Korça. Rruga lidh fshatrat Lumalas, Melçan dhe Porodinë me rrugën nacionale Korçë–Pogradec. Gjendja e rrugës ndër vite ishte shumë e dëmtuar dhe jashtë parametrave normalë të qarkullimit. Kjo unazë lehtëson tashmë qarkullimin urban dhe në të dyja drejtimet e saj lidhet me rrugën kombëtare. Rikonstruksioni i saj shërben si nyje lidhëse për pjesën veriore të Korçës me fshatin turistik të Voskopojës. Rehabilitimi i këtij aksi sipas standardeve më të mira, përmirëson aksesin në këtë zonë me prodhim të lartë bujqësor, kushtet për tregtimin e produkteve vendase si dhe cilësinë e jetës së banorëve.