Aktori i njohur Leonardo Di Caprio, prej kohësh i është bashkuar fushatës për mbrojtjen e lumit Vjosa nga HEC-et. Ai ka reaguar sërish dhe ka postuar një foto të lumit Vjosa në profilin e tij në Instagram. Fotoja me mesazhin “Vjosa, jo diga” shoqërohet më një shkrim të gjatë. Sipas aktorit lajme të mira vijnë nga Shqipëria për mbrojtjen e Vjosës. “Në 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar”- shkruan Di Caprio duke i bërë thirrje edhe kryeministrit federal të Bosnje dhe Hercegovinës të ndërmarrin hapa ligjore për të mbrojtur lumenjtë .

“Ndërsa ne presim që Kryeministri Federal dhe qeveria e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa ligjore për të mbrojtur lumenjtë e vendit pjesë e ‘Zemrës Blu’ të nga shkatërrimi i mëtejshëm nga hidrocentralet e vogla, ka lajme shumë të mira që vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve. Në 25 Shtator, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar. Parku Kombëtar i lumit të Vjosa do të bëhej vendi më i madh i Evropës për ruajtjen e lumenjve që mbulon disa qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra apo edhe mijëra specie, si ngjala e Evropës në rrezik global dhe flutura e Vjosës e zbuluar së fundmi.

Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës dhe parku mund të bëhet një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër. Në pritje të më shumë lajmeve të mira në lidhje me veprimet konkrete për mbrojtjen e përhershme dhe të plotë të lumenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit që përbëjnë ‘Zemrën Blu’.” Kujtojmë që rreth para një viti Leonardo Di Caprio iu bashkua nismës për mbrojtjen e lumit Vjosa kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Postimi që ai bëri në profilin e tij në Instagram bëri shumë jehonë në vendin tonë.

Lumi Vjosa është pjesë e ‘Zemrës Blu’ të Evropës, ku bëjnë pjesë edhe lumi Radika në Parkun Kombëtar Mavrovë në Maqedoni, dhe lumi Sava në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.