Nga Artur Ajazi/
Lulzim Basha dhe Partia Demokratike, e kanë humbur shansin të bëjnë opozitën në Shqipëri pas 25 Prillit 2021. Kjo për faktin se kjo parti, nuk gëzon më besimin në popull, është bërë tersuese dhe qesharake me akuzat dhe denoncimet, dhe së fundi me lojën e turpshme të shifrave lidhur me viktimat e pandemisë. Eshtë makabritet, të dëgjosh se si kryetari i opozitës së shpartalluar, merret gjithë ditën me skenare dhe aforizma, dhe jo me thelbin e problemeve që kanë sot vendi dhe shqiptarët. E pozicionuar jashtë çdo logjike politike, lidershipi i një partie e cila ka 8 vjet që kërkon skutave me çdo çmim dhe kusur pushtet me metodat më staliniste, ka krijuar tashmë estradën e tij në SHQUP. Kandidatët e “rinj” apo dhe sekretarët e lodhur mbeten aktorët, skenaristë dhe regjisorët më të spikatur të një partie që është bërë gazi botës, ku veç kryetarit Lulzim Basha, nuk ka demokrat që i dëgjon dhe mbështet nga Tropoja deri në Sarandë broçkullat e tij.
Sajesa, banalitete, epitete, ofendime, dhe zhargon banal, kjo është ajo ç’ka shihet dhe ç’ka mbetet pas, nga akuzat dhe recitimet bajate të përfaqësuesve të një partie, që kurrë nuk ka ditur, dhe nuk mëson të ngrihet mbi ngrehinat e shembura të mentalitetit thellësisht majtisto-bajraktist. Mjafton të dëgjosh shpifjet dhe fjalorin e përdorur në deklarata shtypi, mjafton të dëgjosh emrat dhe shpikjet e montuara nga thellësia e selisë në SHQUP, dhe do të bindesh se kjo opozitë të kujton këshillat e lagjeve dhe kryetarët e frontit. Të kujton këshilltarët e lagjeve kur të bënin gjyqin, për antenat dhe flokët e gjata, të kujton kryetarin e këshillit . Cicëruesve të kësaj opozite, u mungon gjithçka duhet të ketë një agjitues partie, duke nisur nga “kostumi” i politikanit dhe dialoguesi faktik, deri tek intoleranca si defekti primar i trashëguar tek ajo parti në 30 vjet. Pasi shpifën dhe intriguan sa ishin në Parlament, së fundi ata po shpifin ndaj bluzave të bardha dhe kryeministrit, duke mos harruar sulmet ndaj mjekëve, specialistëve dhe teknicienëve të shëndetsisë.
Duke mbajtur me pompozitet “shkresa me fakte konkrete”, zoti Basha dhe kandidatët e “rinj”, prej muajsh po merren me heronjtë e kësaj krize, duke u bërë edhe më shumë mosbesues. Duke u endur si ai personazhi i asaj historisë, që kërkonte me çdo kusht “këmbën e dhisë mes tepsisë”, duke u hapur në shumë fronte kuturru, duket se ciceroni Lulzim, shpesh e humb edhe fillin e “denoncimit”. Ai e nis ditën me Edi Ramën, dhe e mbyll me Manastirliun, ndërkohë që kryeministri merret 24 orë-non-stop, me kantieret e punëve dhe investimet, me inagurimet dhe pajisjen e reparteve spitalore me logjistikë të re. Por më komike, është tek shikon rreshtimin grafik të ciceronëve të kësaj opozite, që të kujton çunat e lagjes, kur luanin futboll.
Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar, qysh nga koha e Doktorit. Kjo pasi kandidatët e Lulzimit (kryesisht milionerët) kanë mbetur fanatikë të kopjimeve, duke nisur nga qëndrimi para kamerave, montazhi CD-ve për kundërshtarin politik, e duke vazhduar me zakonin e vjetër të përgjimit edhe ndaj kolegut. A mund ti besohet një opozite të tillë ? Si mund ti besosh ervinëve, gazmendëve dhe enkeledëve të një partie, që shpenzojnë më shumë kohë me shpifjet se me militantët e partisë tyre ? Gjithsesi një gjë është e sigurtë, vazhdimësia në rrugën e nisur do ti kushtojë shumë në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 , një opozite që kurrë nuk e kuptoi rolin dhe rëndësinë e misionit të saj politik.