Ansu Fati është buzë arritjes së një marrëveshjeje të re me Barcelonën, për zgjatjen e qëndrimit në Camp Nou deri më 2024. Bisedimet mes palëve janë duke shkuar shumë mirë dhe ka shpresa të mëdha se marrëveshja do të nënshkruhet në ditët në vijim, sipas mediave spanjolle. Barcelona është e vendosur ta mbajë 18-vjeçarin, më të cilin kishte arritur marrëveshje vitin e kaluar, kur Fati shpërtheu në skenë.

Marrëveshja e tij e tanishme me katalonasit mbaron në verën e vitit 2022, me mundësi për t’u zgjatur deri më 2024, por Barça dëshiron ta shfrytëzojë atë opsion duke ia përmirësuar pagën Fatit, sipas MARCA. Atij pritet t’i rritet edhe klauzola e lirimit në vlerë prej 400 milionë eurosh. Fati është duke u riaftësuar nga një lëndim i gjurit, të cilin e operoi muajin e kaluar dhe nuk do të kthehet në fushë deri në fillim të vitit të ri.