Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja ishin në një takim në Njësinë Administrative Labinot-Mal, ku diskutuan me banorët për buxhetin e vitit 2021 që do përkthehet në investime edhe për këtë zonë. Gjatë fjalës së tij, numri dy i PS-së, Balla nuk la pa përmendur edhe aktualitetin politik në vend, duke theksuar rëndësinë e Kodit të ri Zgjedhor dhe mundësitë që u jep ai qytetarëve shqiptarë.
“Para 3 vitesh deklarova që nuk do të kandidoj më për deputet nëse nuk bëj rrugën e Labinotit Mal dhe rruga po bëhet. Kjo është një rrugë me standarde shumë të mira. Është një investim shumë i madh për kushtet që kanë financat në këto kohë. Ky investim i hap rrugën një historie të re për këtë zonë. Në 2017 u thashë banorëve të kësaj zone të mos ua japin votën atyre që s’do duken kurrë në Labinot Mal. Më thoni: Kush erdhi në Labinot Mal për 3 vite e gjysëm? As Luli e as Monika nuk erdhën asnjëherë në Labinot Mal. Asnjë demokrat sot nuk do të votonte Lulin për të marrë Metën në ofertë”, tha Balla.