Bashkia e Tiranës ka nisur dëgjesat publike me pjesëmarrje për projekt-buxhetin e vitit 2021. Në takimin me 10 të rinj, përfaqësues të organizatave të ndryshme, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se prioriteti i bashkisë për vitin e ardhshëm do të jetë rindërtimi i shkollave, transformimi i Piramidës në një akademi inovacioni, si dhe financimi i start-up për të rinjtë. Ai shtoi se ashtu si shkolla “Sami Frashëri”, puna po vijon edhe për ndërtimin e 17 shkollave të reja.
“Jemi një vit nga tërmeti shkatërrues i nëntorit, i cili na tregoi se shkollate bëra në vitet ‘60-’70ishin vetëm një tërmet larg, duke filluar nga shkolla ime e vjetër, “Sami Frashëri”, që nuk do bëhet në Paskuqan, por aty ku ka qenë, e tashmë janë hedhur themelet për t’u ringritur dy herë më e madhe, për të pritur fluksin me 1500 nxënës, si një nga shkollat më të kërkuara të Tiranës. Përtej histerisë që ngrihet për çdo projekt, “Samiu” është vetëm njëra nga 17 shkollat e reja që po bëjmë, bashkë me qeverinë, me projektin e rindërtimit të shkollave prej tërmetit. Ndërkohë, kishim një proces të nisur me 17 shkolla të tjera,në partneritet 50 me 50 në buxhet”, tha Veliaj.
Puna do të vijojë edhe me shtimin e terreneve sportive. “Do të vazhdojmë me terrenet sportive. Kemi filluar me palestrat në natyrë, duke qenë se gjithmonë e më shumë gjëra do të bëhen në natyrë. Liqeni i Farkës pothuajse po mbaron konturin e vet, duam të jetë një park i dytë. Shumë nga shkollat tona po i inkurajojmë të dalin në park, ish-shkolla ime e vjetër “20 Dhjetori” fare mirë mund të përdori tani parkun “Rinia”, një tjetër produkt i histerisë kolektive, por që ja ku është sot, një bizhu në qendër të Tiranës”, tha ai.
Një vëmendje të veçantë në buxhetin e ri i kushtohet edhe transformimit të Piramidës, për ta kthyer në qendrën më të madhe të inovacionit, ku të rinjtë dhe të rejat do të mësojnë gjuhën e kodimit. “Është bërë rrethimi i Piramidës, aty do të fillojnë punimet për ta kthyer në një qendër të madhe rinore. Megjithatë, tek “Arena Kombëtare” filluam kurset e Tumo-s për moshat 12-18 vjeç. Kurse, për moshën më të madhe hapëm Akademinë e Zhvillimit të Softuerëve, te Protik-u pas Kryeministrisë, që janëkurse më të specializuara. Një pjesë e madhe e buxhetit tonë për këtë vit do të shkojë tek Piramida. Një pjesë do të financohet këtë vit, pjesa tjetër do të financohet në 2022-shin”, sqaroi Veliaj.
Ndërkaq, përveç Piramidës, Qendrës Tumo dhe bibliotekave, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për një partneritet me një akademi franceze për një shkollë eksperimentale, që kultivon të gjithë start up-et në fushën e teknologjisë. Kryebashkiaku siguroi të rinjtë se do të kenë të gjithë mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme për Kryeqytetin Evropian të Rinisë. Pesë vitet e fundit Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash për mbështetjen e të rinjve nga arsimi dhe praktikat e punës,te kreditë e buta për çiftet e reja.