Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe Prishtina dhe Beogradi duhet të jenë të gatshme për vazhdimin e tij dhe arritjen e kompromisit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi për Çështje të Jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stani, kur u pyet për të komentuar disa qëndrime në Kosovë, përmes së cilave kërkohet pezullimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel. “Ne jemi të bindur se, për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të Kosovës për të ardhme evropiane, Kosova duhet ta kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë përveç dialogut”, tha Stano.

Sipas tij, “BE-ja vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit, Avdullah Hoti, për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri, posaçërisht në këto kohë sfiduese”. “Shoqëria e Kosovës është mjaft e pjekur për të kuptuar se dialogu nuk mund të përdoret për argumente afatshkurtëra politike. Perspektiva evropiane e Kosovës është reale. Por, përmbushja është në duart e qytetarëve të Kosovës dhe liderëve të tyre të zgjedhur. BE-ja mbetet e gatshme tu ofroj çfarëdo ndihme. Lehtësimi i dialogut është një aspekt i kësaj ndihme”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.\ Gjatë këtij viti dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në Bruksel, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë. Pas shpalljes së aktakuz ave nga Dhomat e Specializuara për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë disa përfaqësues institucionalë dhe liderë politikë kanë kërkuar ndërprerjen e dialogun me Serbinë. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani i ka thënë DW-s se, nuk është momenti të vazhdohet dialogu. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që është pjesë e koalicionit qeveritar, ka kërkuar pezullimin e tij.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 10 nëntor, kryeministri Avdullah Hoti, kundërshtoi ash për thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë. “Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera. Ndërkohë nga Brukseli, zëdhënësi Stano, ka thënë se Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak mbeten të përkushtuar të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun në mënyrë që të arrihet “Marrëveshja Gjithëpërfshirëse”, pasi “ata janë sinqerisht dhe thellësisht të bindur se ky është opsioni më i mirë dhe i vetëm për Kosovën”. Zëdhënësi i BE-së ka paralajmëruar se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret në Bruksel, sa më parë që të lejojnë mundësitë. Në ndërkohë BE-ja thotë se do të ishte mirë sikur Prishtina dhe Beogradi të përgatiten për diskutime, duke treguar frymën e nevojshme të pragmatizmit dhe vullnetit politik për kompromis./REL/