Joe Biden duket afër fitores së presidencës pasi siguroi 27,000 vota më shumë se Donald Trump në Pensilvani, shtet kyç për reziltatin. Me numërimin e votave drejt fundit, dhe me një fitore pranë, në skuadrën e Biden kanë nisur diskutimet dhe debatet se cili do të jetë ekipi i tij në Shtëpinë e Bardhë, raportojnë mediat amerikane. “Skuadra e Joe Biden thuhet se po përparon me planet për një kalim në presidencë ndërsa ai i afrohet fitores. Zyrtarët e parë të lartë në Shtëpinë e Bardhë të udhëhequr nga Demokratët, mund të emërohen javën e ardhshme”, raporton Neë York Times.

Sipas BBC, debatet dhe diskutimet se kush do të marrë postet më të larta, kanë nisur në Uashington dhe Wilmington, Delaware (ku po qëndron Joe Biden) Biden mund të formojë kabinetin më të ndryshëm në historinë e SHBA, raporton gazeta amerikane. Kandidati demokrat është duke menduar për ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë fillimisht, por postet e kabinetit nuk pritet të njoftohen deri për Ditën e Falënderimeve, sipas asaj që konfirmuan më shumë se 12 burime për “Times”.

Në deklaratën e tij të fundit, Biden u kërkoi qytetarëve durim dhe besim në sistemin demokratik. “Ne po provojmë përsëri atë që kemi provuar për 244 vjet në këtë vend – demokracia funksionon,” tha ai. “Vota juaj do të numërohet. Nuk më intereson se sa shumë njerëz përpiqen ta ndalojnë atë.” Joe Biden thotë se ai do ta fitojë këtë garë “me një shumicë të qartë, me kombin në krahun tonë”. “Ne kemi marrë mbi 74 milion vota, kjo është më shumë se ç’ka marrë ndonjëherë ndokush në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”