Zv.kryeministri Erion Brace ka “thumbuar” presidentin Ilir Meta, teksa i ka kujtuar muajin nëntor, ku ka disa kremtime të luftrave të shqiptarëve për pavarësi dhe çlirim. Numri dy i qeverisë shqiptare, thotë edhe pse nuk citon emrin e Metës, shkruan se i ka bërë heronjtë e vendit axhendë të tij në kohët e fundit. Në shënimin e tij të gjatë, Braçe kërkon që heronjtë e vendit të mos përdoren nga politikanët për qëllime të caktuara.

Postimi i plotë i Braçes

Nëntori i kuq!

Nëntori i dëshmorëve të atdheut! Nëntori i atyre që luftuan për pavarësi; Nëntori i atyre që luftuan kundër fashizmit e nazizmit, bashkëpunëtorëve të tyre, çliruan atdheun! Është muaji historik i heronjve të vërtetë të këtij vendi; atyre që nuk kanë të ngjashëm, veçanërisht mes politikanëve të pas 1912-tës, pas 1939-tës, pas 1944-tës, pas 1990-tës e këtej po e po; atyre që janë heronjtë e popullit, e që kurrë nuk bëhen heronjtë e politikanëve; nuk ua lajnë e as amnistojnë, fajet, vjedhjet, vrasjet, as sharjet, shpifjet, fyerjet, kërcënimet; nuk ua legjitimojnë nevojën për pushtet personal gjithnjë, deri në fund fare, tek ai biologjik!

Ka një hendek të madh, shumë të madh mes tyre dhe atyre që bëjne si ta: idealizmi! Idealizmi i tyre i bëri dëshmorë të atdheut! Materializmi i këtyre i bëri politikanët e përjetshëm të atdheut! Ndaj në ditën e parë të nëntorit, kam një thirrje për ty: Ndero këtë muaj heroin tënd! Luf tëtarin për pavarësi, partizanin antifashist! Jo politikanin që abuzon me ta, herë i harron, herë i sulmon, herë i relativizon e i delegjitimon, herë bëhet bashkë me llumin e llumit që nuk ka lëne gjë pa bërë kundër heronjve të atdheut!

Tregoji Shqipërisë heroin tënd, fol për të, shkruaj për të; veçanërisht ti që je i ri, tregoji gjithkujt për stërgjyshin e gjyshin tënd që e bën këtë vend të pavarur e të lirë nga fashizmi e nazizmi! Ji krenar për të! Bëje ti e mos lejo që politikani atje tej të përdor heroin tënd për hapin e parë drejt fashizmit, sovranizmin!”.