Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi sot banorët e Anglisë kundër thyerjes së kufizimeve të fundit antiCOVID-19, përndryshe rrezikojnë të përballen me një bllokim të ri mbarëkombëtar në Vitin e Ri. “Keni parandaluar mbingarkimin e sistemit të kujdesit shëndetësor”, tha Johnson duke lavdëruar ata që u ishin përmbajtur rregullave gjatë një bllokimi mbarëkombëtar në nëntor.

“Megjithatë, nëse lehtësojmë masat tani, rrezikojmë ta humbasim sërish kontrollin mbi këtë virus, duke lënë mënjanë fitoret tona të arritura me vështirësi dhe duke na detyruar të kthehemi në një bllokim kombëtar gjatë vitit të ri me të gjitha dëmet që parashikon ai”, shtoi kryeministri britanik para gazetarëve.

Komentet e Johnson-it vijnë menjëherë pas paraqitjes së kufizimeve antiCOVID-19 nga qeveritë angleze dhe skoceze gjatë sezonit të ardhshëm festiv. Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock zbuloi në një fjalim në parlament se cilat zona në Angli do të kenë rregullat më të ashpra lokale të bllokimit, kur vendi të dalë nga karantina dhe t’i kthehet menaxhimit të masave sipas sistemit me nivele më 2 dhjetor.