Gjatë qëndrimit në Antalia, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi edhe një takim me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman. Takimi u fokusua në diskutime të lidhura me marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian.
Sikurse shprehet Cakaj, në një reagim në ‘facebook’ lidhur me takimin e zhvilluar, Kroacia mbështet mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare bazuar në punën madhore për plotësimin e kushteve të Shqipërisë, të dokumentuar edhe nga Komisioni Evropian. “Një gjë tjetër me rëndësi: Kroacia konfirmon mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.” – përmbylli Cakaj reagimin e tij.