Numërimi i votave po zgjat më shumë në disa shtete e kjo për shkak të votave të dërguara me postë dhe të ashtuquajturave vota të përkohshme. Votat e përkohshme cilësohen ato vota kur është në pikëpyetje nëse personi ka të drejtën e votimit. Kjo mund të ndodhë për një sërë arsyesh, për shembull kur personi nuk është në listën e votuesve, nëse karta e identitetit nuk përputhet me shtetin nga ku është votuar, ose nëse është dërguar me postë por nuk është pranuar.

Në Pensilvani, do të vendoset nëse vota e përkohshme është e vlefshme 7 ditë pas zgjedhjeve. Ky proces verifikimi mund të zgjasë më shumë. Në Arizona janë rreth 15 mijë vota të përkohshme për t’u numëruar, ndërsa në qarkun Klark të Nevadës janë afro 60 mijë.