Italianët do të duhet ta festojnë Vitin e Ri në ambiente të mbyllura, paralajmëroi sot ministri për Çështjet Rajonale, Francesco Boccia, ndërsa përjashtoi lehtësime nga rregullat e shtetrrethimit për më 31 dhjetor.
“Nëse vendosim që banorët nuk mund të qëndrojnë jashtë përtej një ore të caktuar, ne kthehemi në shtëpi, pavarësisht se çfarë na duhet të bëjmë”, tha ministri për televizionin publik RAI. “A do të ketë festime të Vitit të Ri? Ne do të festojmë në shtëpi”, shtoi ai.
Qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte po përballet me një vendim të vështirë këtë javë në lidhje me masën në të cilën kufizimet e COVID-19 mund të lehtësohen përpara sezonit të festës së Krishtlindjes. Ajo pritet të lëshojë rregulla të reja kundër koronavirusit të ri deri të enjten, kur skadojnë masat aktuale.