Ekspertët ndërkombëtarë do të kthehen në Kinë sa më shpejt të jetë e mundur për të vazhduar hetimin e origjinës së Covid-19 dhe për të shqyrtuar gjetjet e shkencëtarëve kinezë. Kjo u deklarua nga shefi i urgjencës i OBSH-së Mike Ryan, duke theksuar se ai kishte marrë “sigurinë” nga Pekini se do të lehtësojë operacionet në terren.
Kinezët, shtoi ai, kanë kryer një punë të jashtëzakonshme kërkimore, por është e nevojshme që ekspertët ndërkombëtarë të shkojnë atje për të verifikuar të dhënat dhe të sigurojnë bashkësinë ndërkombëtare për cilësinë e studimeve. Korrikun e kaluar një ekip nga agjencia e Kombeve të Bashkuara shkoi në Kinë për të përgatitur terrenin për një analizë më të thelluar. Që atëherë, asnjë ekspert ndërkombëtar nuk ka shkelur në vend.
Studiuesit kinezë po kryejnë studime epidemiologjike në raste dhe kushte të hershme në një treg të prodhimeve të detit në qytetin qendror kinez Wuhan. Një ekip ndërkombëtar ekspertësh është krijuar për të kryer studime të fazës 2. Por Shtetet e Bashkuara dhe disa delegacione evropiane, kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me vonesën dhe kanë kërkuar një afat kohor të vizitës së ekspertëve ndërkombëtarë. Virusi u identifikua për herë të parë në Wuhan në dhjetor të vitit të kaluar.