Shqipëria ka shënuar sot ditën me më shumë infektime të reja në 24 orë. Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot se janë konfirmuar 525 raste të reja me koronavirus. Gjithashtu, në spitalet dedikuar Covid-19 në Tiranë kanë ndërruar jetë 2 qytetarë. Ndërkohë betejën me virusin e rrezikshëm e kanë fituar 111 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit.
NJOFTIMI I PLOTË:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë me përpikmëri rregullat e higjienës, distancimit fizik dhe mbajtjen e maskës në çdo ambient jashtë shtëpisë. Është e rëndësishme të shmangen lëvizjet e panevojshme dhe të kufizohen kontaktet, për të parandaluar përhapjen e COVID19. Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit të përhapjes së virusit Sars Cov2, rastet e reja dhe situatën në spitalet COVID. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1967 testime, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 525 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki:
Rastet sipas shperndarjes gjeografike: 222 raste në Tiranë, 38 në Shkodër, 24 në Durrës, nga 21 raste në Krujë, Vlorë, 20 në Berat, 18 në Kukës, nga 15 raste në Kuçovë, Elbasan, 14 në Librazhd, 11 në Lushnje, nga 10 raste në Korçë, Përmet, Malësi e Madhe, Gramsh, 9 në Pogradec, nga 8 raste në Kurbin, Kavajë, Skrapar, nga 6 raste në Fier, Mat, nga 5 raste në Dibër, Peqin, 4 në Tropojë, nga 2 raste në Lezhë, Sarandë, Bulqizë, 1 në Devoll. Në 24 orët e fundit janë shëruar 111 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 12,203 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 3 spitalet COVID, po trajtohen 360 pacientë, 10 në terapi intensive nga të cilët 2 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 2 qytetarë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve që janë të konfirmuar ose në pritje të përgjigjes së testit, të qëndrojne të izoluar, duke respektuar detyrimin e vetekarantinimit. Për çdo shenjë të sëmundjes duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes. Nëpërmjet linjës së gjelbër falas 0800 40 40 mund të lidheni me mjekun e familjes dhe të merrni informacionin e nevojshëm për COVID19.
Urgjenca Kombëtare është 24/7 në shërbim të pacientëve. Telefononi 127 nëse dyshoni se jeni të prekur nga Covid19 dhe për çdo urgjencë mjekësore.