Kur u largua në mënyrë sensacionale nga Real Madridi për të kaluar te Juventusi, dukej se marrëdhëniet midis Cristiano Ronaldos dhe klubit mbretëror spanjoll ishin përgjithmonë të kompromentuara. Tani, megjithatë, situata duket se ka ndryshuar. Siç raportohet nga “Marca”, në fakt, miqësia e tij me Marcelo nuk është lidhja e vetme me “Los Blancos”. Gjithçka është paqtuar që nga 1 marsi i kaluar, kur CR7 shkoi në “Bernabeu” për të parë klasiken kundër Barcelonës. Atë ditë e thirri Florentino Pérez, që të rehatohej në tribunën VIP dhe që nga ai moment mesazhet mes të dyve kanë vazhduar.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Cristiano Ronaldo u takua kohët e fundit me ish-shokët e skuadrës te Merengues, Sergio Ramos dhe Pepe. Të njëjtën gjë bëri këtë javë me dy kroatët e Real Madridit, Modric dhe Kovacic. E gjithë kjo, shkruajnë akoma mediat spanjolle, përkon me thashethemet, sipas të cilave ylli luzitan mund të largohet nga Juventusi, pasi te klubi bardhezi mund të jetë e nevojshme të ulen paga e lojtarëve “milionerë”. Për momentin këto janë vetëm hamendje. Megjithatë, edhe vetë Reali nuk duket i interesuar për një kthim të “djalit plangprishës”. E sigurt është se qëndrimi i Cristiano Ronaldos ndaj ish-skuadrës së tij është shumë i ndryshëm nga më parë. Ka pasur një afrim me presidentin Perez dhe shumë prej atyre që ishin kolegë të tij. Detaje që mund të kenë pak peshë.