Dani Alves ka bërë të ditur se ai kërkoi rikthimin në Barcelonë pas sezonit pozitiv me Juventusin, por tha se klubi i tij i vjetër “nuk kishte tope” ta riblejë. Dani Alves kontribuoi me 21 gola dhe 101 asiste në 391 ndeshje për Barcelonën mes viteve 2008 dhe 2016, duke ia bërë vetes një vend në mesin e mbrojtësve të djathtë më të mirë në histori. Ai e ndihmoi Barçën të fitojë 23 trofe në total, duke përfshirë gjashtë La Liga, tre Champions League, e fundit ishte në fitoren 3-1 në finale kundër Juventusit në vitin 2015. Alves u largua nga Barcelona si lojtar i lirë për të shkuar në Serie A te Juve, ku fitoi Scudetton dhe dy Kupa të Italisë dhe luajti një rol të rëndësishëm atë sezon për Juven që shkoi deri në finale të Champions League, atje ku u mposhtë 4-1 nga Real Madridi.

Më pas ai shkoi në PSG, ku edhe atje fitoi shumë trofe. Sido që të jetë, para aventurës me Parisin, Alves e ka pranuar se dëshiroi ta veshë edhe njëherë fanellën e Barcelonës, nga ku nuk do të largohej nëse do ta kishin vlerësuar më shumë drejtuesit e asaj kohe në krye me Josep Maria Bartomeu, që vetëm javë më parë dhanë dorëheqje për shkak të krizës së krijuar dhe tollovisë me Lionel Messin.

“Kërkova rikthimin në Barça. Shkova te Juve për të vërtetuar se ende isha në nivel të mirë”, tha braziliani për RAC 1. “Doja të kthehesha te Barça dhe ata kishin nevojë për mua, por ata nuk kishin topa ta pranonin se kishin gabuar me mua. Nëse do të më kishin trajtuar siç mendoj se e meritoi, sot ende do të isha duke luajtur për Barcelonën. E dua atë klub”.