Delegacioni kosovar ka patur disa takime në Bruksel muajve të fundit në kuadër të bisedimeve me Serbinë, të udhëhequra nga BE-ja. Por, në një prej këtyre takimeve ka ndodhur një incident. Burime brenda Policisë bëjnë të ditur për Indeksonline se javë më parë në Bruksel delegacionit kosovar i është vjedhur çanta. Madje, mësohet se dokumentet që ndodheshin në çantë ishin konfidenciale në të cilat kishte material për bisedimet me Serbinë.
Pjesë e këtij delegacioni ishin koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, eksperti për çështje ekonomike në dialog, Muhamet Mustafa dhe ish-ambasadori në Belgjikë, Bernard Nikaj. Pak ditë pasi çanta me dokumente është vjedhur, e njëjta i është kthyer palës kosovare. Rasti është mbajtur në heshtje deri më tani, ani pse konfidencialiteti i dokumenteve është shqetësues për Kosovën dhe bisedimet e ardhshme ndaj palës serbe.