Su lmuesi i Lyonit dhe Holandës, Memphis Depay, e ka pranuar se me dëshirë do ta shfrytëzonte mundësinë për t’iu bashkuar Barcelonës, duke thënë se gjiganti katalonas është ndër klubet më të forta në botë. Depay ka shkëlqyer në Lyon që prej se iu bashkua atij në vitin 2017 nga Manchester Unitedi, ku kishte dështuar t’i përmbushte pritjet. 26-vjeçari i shënoi 19 gola në sezonin e tij të parë të plotë në Ligue 1 dhe në sezonin 2019/20, ishte lojtar kyç në dërgimin e Lyonit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke i shënuar gjashtë gola në tetë paraqitje.
Barcelona ka kohë që e kërkon atë dhe ishte pranë ta transferonte në verë, por kërkesat e larta për pagë bënë që marrëveshja të dështonte. Thuhet se Barça do të provojë sërish për të dhe Depay thotë se do ta mendonte me kujdes një ofertë të re nga katalonasit. “Nuk e di për Barçën. Tregu i transferimeve nuk është i hapur. Nuk e kam mendjen aty”, tha Depay pas barazimit të Holandës 1:1 me Spanjën të mërkurën.
“Po përpiqem ta jap më të mirën nga vetja; të luaj mirë në mënyrë që të bëhem lojtar më i mirë. Ka shumë thashetheme”, shtoi ai. “Kujt nuk do t’i pëlqente të luante atje? Ai është ndër ekipet më të mira në botë. Të gjithë do të donin të luanin atje, por unë nuk po mendoj për këtë”, theksoi Depay.