Dozat e para të vaksinës së kompanisë Pfizer do të jenë në dispozicion brenda pak javësh, thotë sekreti i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe, Matt Hancock. Ndërsa doktori i njohur amerikan, Anthony Fauci u shpreh se, deri në fund të nëntorit do të sigurohen vaksinat në SHBA.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se vaksina e Pfizer dhe Biontech mund të mbrojë 9 në 10 persona nga kapja e infeksionit.Agjencia Rregullatore e Medikamenteve dhe Produkteve Shëndetësore të MB-së do të ndjekë me rigorozitet rezultatet e studimit për vaksinën që do të dalë për pak ditë, për t’u bindur që është e sigurt para se të shpërndahet në masë.
Tanimë po përgatitet edhe lista me njerëzit më në prioritet për t’u vaksinuar të parët.Komiteti gjerman i etikës ka përcaktuar si kategori prioritare të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, personelin mjekësor dhe shëndetësor, punonjësit e policisë dhe zjarrfikësve, mësuesit e shkollës.