Ditari që tani kemi në duar dëshmon se një prej hallkave që lidhte gjithë këto ngjarjesh të bujshme në prag dhe pas Konferencës së Versajës, ndodhej në duart e brishta por tepër të vendosura të Parashqevi Qiriazit dhe ajo atëherë as që po e dinte se me ato duar po e shkruante historinë e diplomacisë shqiptare, ku ajo vet ishte protagoniste dhe dëshmitare e gjallë e zhvillimeve që më vonë do të jenë vendimtare për fatet e popujve të Ballkanit.
Nga Emin AZEMI/
Ditari i Parashqevi Qiriazit – Ditët e mia në Konferencën e Versajës është porta e sivjetme e manifestimit tradicional Ditët e Alfabetit, që fillon të shtunën dhe mbaron më 22 nëntor të këtij viti. Me botimin e këtij Ditari, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, jo vetëm që po i përgjigjet motos së Ditëve të Alfabetit kushtuar iluministeve shqiptare, por po e inkorporon veprimtarinë e vet në një rreth serioz qasjesh mbi tematikën e angazhimit të gruas shqiptare në epokat e ndryshme të zhvillimit kombëtar. Ky botim sjell për herë të parë angazhimin e drejtpërdrejt të një gruaje shqiptare në çështjet madhore, që kërkonin organizimin e më shumë njerëzve e institucioneve. Pasi ta kemi lexuar këtë ditar, do të mbetemi për një çast të fiksuar në një pyetje: Si ka arritur kjo grua e shquar – Parashqevi Qiriazi, e rrethuar me vetminë e dilemave delikate që shtronte koha (jemi në dy dekadat e para të shekullit të kaluar), kur nuk mjaftonte as fuqia e dhjetëra burrave për të ça akullin e trashë të refuzimit ndaj çështjes shqiptare , pra ishte ajo, Parashqevi Qiriazi, përkundër gjithë këtyre rrethanave, arriti ta përhap zërin e një populli të vuajtur që po luftonte për mbijetesë. Ajo arriti të bëhet zëdhënëse e kauzës kombëtare në një Konferencë ndërkombëtare, ku logjika e ftoftë e gjeopolitikës ishte më e ashpër se dëshirat dhe aspiratat e shqiptarëve për të jetuar brenda një sovraniteti të pacënuar territorial e kombëtar.
Shënimet që ajo ka mbajtur, duke filluar nga 1 janari deri më 26 tetor të 1919-tës, janë përmbledhje e një kronike autentike mbi zhvillimet në prag të Konferencës së Versajës, por edhe në ditët vijuese dramatike të vet Konferencës, dhe pas saj, teksa Parashqevi Qiriazi dëshmon për një mori detajesh interesante, përfshi edhe mospajtimet në mesin e delegatëve shqiptarë, si dhe mbi përpjekjet e përfaqësuesve shqiptarë për të bindur diplomacitë e kohës, sidomos të SHBA-të , që të marrin vendime të drejta mbi çështjen shqiptare. E shënuar me shkrim dore, dhe e konceptuar si një agjendë ngjarjesh ditore, kjo kronikë mund të shërbejë edhe si burim hulumtimesh e frymëzimesh nga ana e historianëve, diplomatëve, skenaristëve , shkrimtarëve, të cilët do të mund të mbindërtonin fabula e subjekte interesante mbi një periudhë mjaft delikate në historinë e rrugëtimit tonë si komb dhe si shoqëri, siç ishte periudha në mes të dy luftërave botorëve, ku fatet e kombeve “qepeshin” nëpër tryezat dhe traktatet diplomatike të konferencave. Sigurisht që ky rrugëtim do të dilte i zbehtë pa kujtimet e Parashqevi Qiriazit, të cilat tani vijnë të paketuara në formë libri, kurse meritë e ITSHKSH dhe drejtorit Dr. Skender Asanit (bashkëautore Nora Maliqi- Zylali) është hulumtimi në Arkivin Qendror të shtetit në Tiranë, ku edhe është ruajtur ky ditar.
Një dimension tjetër që ofron Ditari i Parashvqi Qiriazit, është fuqia vendimmarrëse e gruas shqiptare në një kontekst mjaft të vështirë, atëherë kur klima politike, sociale e kulturore ishte mjaft e ashpër dhe ishte gati e pamundur të imagjinoje që pjesë e një misioni diplomatik mund të jetë edhe një grua shqiptare. Një rrethanë lehtësuese për Parashqevinë, të cilën ajo edhe e shpreh në ditarin e saj, është fakti se përgatitjet për të marrë pjesë në Konferencën e Versajës ajo i kishte bërë gjatë qëndrimit në Amerikë. Nga shënimet e mëvonshme del që ajo kishte shfrytëzuar njohjet personale me përfaqësues të qarqeve emigrantësh në Amerikë, por edhe vetë amerikanë, në kanalizimin e aktiviteve lobuese, duke arritur madje edhe në zyrën e vet Presidentit Woodrow Wilson, për t’ia paraqitur këtij të fundit gjithë realitetin mbi gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria e atyre viteve dhe aspiratat grabitqare ndaj saj të shteteve shoviniste fqinje. Ditari që tani kemi në duar dëshmon se një prej hallkave që lidhte gjithë këto ngjarjesh të bujshme në prag dhe pas Konferencës së Versajës, ndodhej në duart e brishta por tepër të vendosura të Parashqevi Qiriazit dhe ajo as që po e dinte se me ato duar po e shkruante historinë diplomacisë shqiptare, ku ajo vet ishte protagoniste dhe dëshmitare e gjallë e zhvillimeve që më vonë do të jenë vendimtare për fatet e popujve të Ballkanit. Pjesë e këtyre shënimeve janë edhe kujtimet e Parashqevi Qiriazit , si një pjesë e veçuar, që mbajnë datën 28.10. 1968, ku flitet për Kongresin e Manastiti, si një ngjarje e përjetuar nga vet ajo. Nga këto kujtime, lexuesi përpos informacionit burimor, kupton edhe sensin përkushtues të familjes Qiriazi nga Manastiri në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij Kongresi, i cili më vonë do të del se ishte pararendës i zhvillimeve më të rëndsishme shtetndërtuese të shqiptarëve.
Ditari i Parashqevi Qiriazit – Ditët e mia në Konferencën e Versajës është testament i gjallë i një kujtese aktive që prodhon energji të reja, ku shembulli personal i një gruaje shqiptare, siç ishte Parashqevi Qiriazit, lirisht mund të shndërrohet në përmendore gjikante , si porosi dhe jehonë që vije nga dashuria dhe përkushtimi për të bërë vepra të lavdishme për kombin. Shkup, 13 nëntor, 2020