Në emisionin “Open” në Top Channel, doktori i Covid 2 Arjan Mezini, i cili kohët e fundit është parë shpesh nën shoqërinë e liderit të opozitës, Lulzim Basha, ka shfrytëzuar praninë në panel, për t’i kërkuar ministres Manastirliu, ekzaktësisht atë që po kërkon opozita për këto kohë.

“Jam dakord me zotin Basha, ne kemi shumë njerëz në dhoma”, tha Mezini, dhe dihet mirë se “një nga standartet më të mira është prania e një pacienti për një dhomë spitali. Përse nuk i hapni dhe spitalet e tjera, duke parë ngarkesën?”

Manastirliu është përgjigjur se tashmë janë hapur 3 spitale Covid, dhe pritet që të hapet dhe spitali i katërt me ezaurimin e shtretërve në spitalet e para.
Nga ana e tij, doktori i Covid2 ka këmbëngulur në faktin që duhet që spitalet në Shqipëri të kenë standartin një pacient për një dhomë. I pyetur nga ministria se cilit vend i referohej kur përmendte këtë standart, Mezini është shprehur se “do ju sjell protokollin e Gjermanisë”, duke lënë të kuptohet se modeli që duhet të ndjekë Shqipëria në përballimin me pandeminë, është ai i Gjermanisë.

Ndërkohë, nga një vëzhgim i shpejtë në agjencitë zyrtare të lajmeve, vihet re se të gjithë shtetet e Evropës përfshirë Gjermaninë, po përballen me mbingarkesë të spitaleve, madje disa prej tyre kanë vënë alarmin se vendet do të ezaurohen brenda pak ditësh nëse vijohet me këto ritme.