Duket se koronavirusi nuk po kursen më asnjë. Ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga Covid, avokati Agron Mahmutaj, Kryetarit të Dhomës së Avokatëve të Beratit që prej vitit 2017. Ai nuk ka mundur ta fitojë dot betejën me koronavirusin dhe ka ndërruar jetë ditën e djeshme. 51-vjeçari Mahmutaj u prek nga COVID-19 disa javë më parë.
Mahmutaj u shtrua fillimisht në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku u mbajt disa ditë në oksigjenim. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore ai u dërgua në Tiranë, ku qëndroi për dy javë i intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ditët e fundit, gjendja e avokatit u rëndua dhe ditën e djeshme ndërroi jetë. Mësohet se avokati Mahmutaj kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese, ai vuante nga diabeti dhe vite më parë kishte hequr edhe njërën veshkë.