Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, tha sot me paketën e parë të ndihmës ekonomike përfituan 242 mijë 842 të punësuar, ndërsa në paketën e dytë ishin 172 mijë të punësuar. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ministri Ahmetaj u shpreh se “janë 242 mijë 842 të punësuar që kanë përfituar dhe 83 mijë biznese me ndihmë direkte 121 milionë dollarë. Janë 63 mijë e 510 familje që përfituan dyfishin e pagesës mujore të ndihmës ekonomike. Ndërkohë shtesë janë 4 mijë familje aplikuese që përfituan menjëherë sa hynë në skemë 16 mijë lekë gjatë gjithë periudhës së karantinës”.
“Edhe në paketën e dytë ishin 172 mijë të punësuar, nëse i referohem 242 mijë të punësuarve është realisht 30% e të punësuarve duke përfshirë edhe administratën publike, që janë mbështetur drejtpërsërdrejti dhe nëse heq numrin e të punësuarve në administratën publike kemi mbështetur gjysmën e të punësuarve. Pra gjysma e të punësuarve në Republikën e Shqipërisë janë mbështetur drejtpërsëdrejti”, – nënvizoi Ahmetaj. Ministri Ahmetaj duke iu rikthyer rishikimit të buxhetit të vitit 2020 në 19 mars për t’iu referuar paketës së parë të ndihmës ekonomike, tha se “në paketën e parë kemi disa mbështetje, është Ministria e Shëndetësisë me 2.5 miliardë leke shtesë. Paketa e parë financiare mbështeti biznesin e vogël , të vetëpunësuar, ndihmë ekonomike dhe përfitues të papunësisë, rreth 65 milionë dollarë dhe u mbështet Ministria e Mbrojtjes me paketën për ndihmat humanitare me një numër të konsiderueshëm që nga familjet në nevojë deri tek pensionistët e vetmuar. Brenda këtij spektri familje të tëra përfituan ndihma të llojeve të ndryshme”.
“Garancia e parë sovranë me 11 miliardë lekë dikush atëherë na stigmatizoi, faktet , shifrat tregojnë ka qenë një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe për sipërmarrjen dhe ishte kryesisht për biznesin e madh. Falja e kamatvonesave prej 15 miliardë lekë, këto janë para që qytetarët nuk i nxorën, nuk do t’i nxjerrin nga xhepi, përkundrazi do t’i përdorin për nevojat e tyre të përditshme. Sigurisht iu la qeverisë 10 milionë dollarë shtesë në fondin rezervë të buxhetit për emergjenca që siç u pa më vonë u përdorën në vazhdimësi”, – nënvizoi Ahmetaj. Ministri Ahmetaj tha se “paketa e dytë financiare, pagat për të punësuarit dhe biznesin e madh me aktivitet të mbyllur, të larguarit nga puna deri tek naftëtarët. E mbani mend që ata naftëtarë që e kanë pranuar propozimin e Kryeministrit para disa ditësh ata u mbështetën edhe njëherë me pagën e luftës dhe bënë shumë mirë siç po bëjnë shumë mirë tashmë”. “Paketa e dytë financiare ishte 7 miliardë lekë, plus garancia e dytë sovrane bëjnë 15 miliardë lekë, shtyrja e tatim fitimit që dëgjon politikanë të opozitës me bolori, që do tu heqim taksat, taksat e biznesit të vogël tashmë janë hequr. Për shumë kategori janë shtyrë dhe dua ta ripërsëris 100 herë atë që kjo qeveri ka bërë me biznesin e vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë, zero taksa, zero tatim fitimi për 14 milionë e poshtë dhe zero TVSH 10 milionë e poshtë”, – tha Ahmetaj.