Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani është infektuar me COVID-19, lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo, përmes një postimi në Facebook, ku tregoi se pasi kishte pasur kontakt me disa të afërm pozitiv me Covid-19, ajo kishte rezultuar pozitive.
“Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv. Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”, tha Osmani. Në fjalën e saj ajo në fjalën e saj u bëri thirrje të gjithëve të respektojnë masat e sigurisë dhe të tregohen të kujdesshëm.