Një prej pyejteve kryesore që u ngrit kur pandemia e koronavirusit pushtoi Europën pranverën e këtij viti ishte se cfarë po bën Bashkimi Europian për këtë situatë.

Përgjigja ishte se BE nuk ka kompetenca për çështjet e shëndetësisë dhe vendet anëtare i morën vetë, në nivel kombëtar vendimet për të luftuar infeksionin. Kjo shkaktoi kaos lidhur me rregullat si dhe fillimin e një gare për të vënë në dispozicion pajisjet mbrojtëse, medikamentet dhe shtretërit e spitaleve, garë që u kritikua si josolidare.

Tani, blloku ka vendosur të hedhë një hap të guximshëm. Ai kërkon të marrë vete kompetencat për emergjencat në raste pandemish. Kontrata që Komisioni i BE nënshkroi të martën me BioNTech- Pfizer, për prodhimin e 300 milionë dozave vaksina, është vetëm hapi i parë. Ai synon tani të krijojë zyrën e vet për cështjet shëndetesore, një agjenci e re e quajtur HERA, që do të merret me vëzhgimin e zhvillimit të sëmundjeve infektive dhe thirrjen e gjendjes së emergjencës.

Komisionerja e Stella Kyriakides e pranon se praktikisht bëhet fjalë për “të qenë të pavarur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”. Brukseli dëshiron po ashtu të zgjerojë kompetencat e agjencive ekzistuese të shëndetit: Agjencia qëndrore e Bashkimit Europian, EMA me qendër në Amsterdam nuk do të jetë vetëm për dhënien e lejeve për vaksinat dhe medikamentet mjekësore, por do të vëzhgojë edhe mungesën e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore dhe do të drejtojë marrjen e masave për sigurimin e tyre. Edhe Enti për vëzhgimin, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve (ECDC), me qendër në Stockholm do të fuqizohet duke vlerësuar në të ardhmen të gjitha të dhënat e vendeve anëtare dhe duke dhënë udhëzimet përkatëse.