Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, e sapo emëruar zv/presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka theksuar se urimet në adresë të saj kanë qenë nga të gjitha krahët, pa dallime, majtas e djathtas. “Dua t’ju falënderoj për urimet. Falenderoj këdo, të njohur e të panjohur. Falenderoj në mënyrë të veçantë kryetarin Ruçin dhe kryetarët e delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s”,- u shpreh Kodheli në Kuvend.

“Pozicioni i zv/presidentes së Asamblesë në NATO është sa i lartë dhe aq i mbushur me përgjegjësi. Të them të drejtën në këtë sallë, s’kam pasur dallime majtas apo djathtas për urimet. Le të rrimë kështu bashkë”,- tha Kodheli. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha se emërimi i saj në këtë post është vlerësim për vendin tonë. “Urime në emër të Kuvendit. Ky është një vlerësim për Shqipërinë. Vlerësim për performancën e Kuvendit”, nënvizoi Ruçi.