Një sistem kombëtar testimi për kandidatët që synojnë të punësohen në administratën publike, certifikim i vlefshëm për katër vjet dhe një platformë e re digjitale për mundësitë e punësimit janë ndër risitë e planit të transformimit të administratës publike, të prezantuar nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni.
Plani i ri, i mbështetur në parimin e “Shkallës së Meritës”, synon të vendosë aftësitë profesionale dhe performancën në qendër të procesit të rekrutimit, vlerësimit dhe avancimit në karrierë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Gjatë prezantimit, ministrja Pirdeni bëri të ditur se përmes sistemit kombëtar të testimit, kandidatët do të mund të vlerësojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përpara shpalljes së vendeve vakante. Ata që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë të vlefshme për katër vjet, ndërsa sistemi i ri i provimeve digjitale po zhvillohet duke marrë si referencë modelin e vlerësimit të Kembrixhit.
Një tjetër risi është platforma “Porta e hapur”, e cila pritet të jetë gati në dhjetor. Përmes transformimit të portalit puna.gov.al, qytetarët do të mund të krijojnë profile profesionale dhe të informohen për mundësitë e punësimit që përputhen me aftësitë dhe interesat e tyre. Platforma do të jetë e aksesueshme edhe për shqiptarët që jetojnë në diasporë.
Ministrja njoftoi gjithashtu se nga viti i ardhshëm do të krijohet për herë të parë Katalogu Kombëtar i Pozicioneve dhe Kompetencave, i cili do të përcaktojë kategoritë e profesioneve dhe aftësitë e kërkuara për secilin profil në administratën publike.
Duke u ndalur te rëndësia e meritokracisë, ministrja Pirdeni theksoi nevojën për një sistem që njeh dhe vlerëson aftësitë profesionale të punonjësve në çdo fazë të karrierës.
“Kemi një distancë shqetësuese mes aftësisë dhe mënyrës sesi sistemi arrin ta njohë dhe shpërblejë atë. Kjo distancë ka një kosto. Mungesa e meritokracisë në administrime ka qenë edhe një shqetësim i shprehur në protestat qytetare. Përtej përgatitjes dhe zhvillimit profesional të administratës, kjo është përgjegjësia që merr Ministria e re e Administratës Publike, ta kthejë integritetin në procesin e vlerësimit nga hyrja në administratë deri te përparimi në karrierë dhe drejtimi i institucioneve tona publike. Duam që merita të jetë një cilësi që sistemi është i detyruar ta njohë”, u shpreh ministrja.










