Në disa pjesë të Evropës, situata e pandemisë është rënduar.
“Business Standard” thotë se në Zvicër të gjithë shtretërit në terapi intensive, janë të zënë. Praktikisht vendi ka mbërritur kapacitetin maksimal në këto njësi. Alarmin e dha vetë shoqata kombëtare e mjekëve, e cila i nxiti njerëzit më të cënueshëm të lënë një shënim me shkrim ku të shpjegojnë nëse pranojnë të vendosen në intubim. Vendi me 8.5 milionë banorë, është duke përjetuar një shpërthim të ri të infeksionit me më shumë se 83.500 raste të raportuara që prej datës 3 nëntor.
Mjekët në Hungari sakaq po paralajmërojnë se mungesa e stafit të kualifikuar mjekësor për trajtimin e pacientëve me koronavirus në repartet e kujdesit intensiv, mund të çojë shpejt në një rritje të numrit të vdekjeve dhe në shembje të sistemit të brishtë të kujdesit shëndetësor të vendit, pavarësisht blerjes se pajisjeve te shtrenjta mjekësore nga ana e qeverisë. Në Itali, ekspertët thonë se virusi është bërë “më i lig” e shkakton tani 4 vdekje në 100 të infektuar.
Vetëm Meksika dhe Irani e kanë më keq këtë shifër; në Gjermania, treguesi i vdekshmërisë shkon në 1.6%. Rusia sakaq shënoi brenda 24 orësh 22.400 infektime të tjera, por nga ana tjetër ka një rënie shpresëdhënëse të rasteve aktive. Megjithatë, me masat urgjente të qeverive, në disa pjesë të kontinentit të vjetër vala e dytë e sëmundjes po jep shenja ngadalësimi. Shifrat po stabilizohen në Gjermani e Spanje dhe janë në rënie në Belgjikë, Francë e Holandë, por ekspertët sërish thonë se është ende shumë shpejt për t’u qetësuar.